Bashkimi Evropian diskuton progresin e Shqipërisë në negociata
COELA, grupi i punës për zgjerimin në Bashkimin Evropian, mblidhet sot në Bruksel për të diskutuar ecurinë e vendeve që synojnë anëtarësimin, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi.
Diskutimet janë përqendruar në hartimin e një qëndrimi të përbashkët që do të përcaktojë hapat për fazën përmbyllëse të negociatave. Sipas burimeve nga Këshilli i BE-së, pas dy muajsh diskutimesh ka optimizëm për arritjen e një konsensusi mes 27 vendeve anëtare.
Për Shqipërinë pritet një shkëmbim opinionesh, ndërsa vlerësohet progresi i bërë në procesin e anëtarësimit dhe mundësia për të kaluar drejt mbylljes së kapitujve negociues.
Që nga muaji mars janë zhvilluar disa takime mes vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian, një proces që ka sjellë debat në vend, por që sipas Këshillit të BE-së kërkon kohë për shkak të kompleksitetit.
Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në një kohë rekord, ndërsa miratimi i IBAR-it mbetet hapi i fundit për të kaluar në fazën e mbylljes.







