×
Thursday, April 18, 2024

“Bashkimi Europian, projekti më i mirë që njoh”

March 30, 2020


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot në një intervistë me Stefano Boeri se “Bashkimi Europian është projekti më i mirë që unë njoh, edhe pse nuk është i kompletuar”.

“Mund të më thuash se si arrite ta ndryshosh opinionin e Europës e cila mbi Shqipërinë pati një sjellje skizofrenie?”, ishte pyetja e Stefano Boerit për kryeministrin Rama.

“Nuk është një ndryshim, por bën pjesë në atë që pamë te një Europë e cila përballon një krizë refugjatësh, por e la të vetme Italinë në këtë sfidë. Bashkimi Europian është projekti më i mirë që unë njoh, edhe pse nuk është i kompletuar. Ai duhet të kompletohet”, ishte përgjigjja e Ramës.

“Nuk është BE problemi, por është projekti i papërfunduar europian”, shtoi Rama.

“Ju keni pasur një sens europian kulturor. Desha të të pyes nëse historia jote personale të ka ndihmuar për të bërë politikë. Ju sollët një mënyrë, sipas meje, që e transmetove nëpërmjet simboleve dhe artit”, ishte pyetja e Boerit për kryeministrin.

“Unë dua të them diçka që më duket si e pathënë më parë. Shumë herë nuk flasim për kulturën si një alternativë politike. Unë besoj se kultura nuk është një alternativë për politikën, por e ushqen politikën”, tha Rama.

“A mund të kishim kulturë pa një Medici në Firence? Ata kishin një gjë të shkëlqyer, ata investonin edhe mbi artin, por bënin edhe politikë”, theksoi Rama.

“Ju bëtë një veprim të shkëlqyer nga një vend që nuk llogaritet në BE, por bëtë një veprim që emocionuat miliona italianë dhe ju e dini që dy popujt janë shumë pranë njëri-tjetrit. Ky raport me Italinë çfarë është për ju?”, pyet Boeri.

“Italia ishte dritarja e mbyllur në kopsht. Një dritare që nuk mund ta hapje. Kështu pra, ne jemi rritur me atë që ishte pas dritares”, deklaroi Rama.

Stefano Boeri vlerësoi dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali. “Veprimi juaj ishte shumë i rrallë”, iu drejtua Boeri, Edi Ramës.

“Është për të ardhur keq të shikosh realitete si ato të SHBA që diskutohet pse maskat ngjajnë me një fiction”, tha Rama.

“Në këtë pikë duhet të themi se kemi NATO-n për luftëra, por si ka mundësi që për këto pandemi nuk kemi mundësi të demonstrojmë unitet?”, theksoi Rama.

“Më emocionoi efekti i veprimit tonë, por ajo që më tmerron më shumë është indiferentizmi i disa shteteve. Është sikur shtëpia po digjet dhe secili është mbyllur në shtëpinë e tij. Nuk ka një debat mes të gjithëve”, shtoi Rama.

“Nuk mund të mendojmë të rrimë në shtëpi sa të ikë virusi, po duhet të rrimë në shtëpi, ndërkohë që unë mendoj se duhet një kundërsulm”, shtoi Rama.

“Nuk e imagjinoj si mund të fitosh një ndeshje basketbolli kur nuk kalon as mesin e fushës. Kur fola me një gazetar i thashë se këtu duhet ‘Milani’ i Arrigo Sacchi-t”, shtoi Rama.

“Kushdo që mendon se kjo situatë mund të kapërcehet duke u mbyllur në kufijtë e vet mashtron veten, luftimi vetëm i këtij virusi është vetëvrasje. Historia bëhet duke ecur, jo duke u kthyer mbrapa”, thekson Rama.   “Për këtë arsye”, thotë Rama, “unë shpresoj se serioziteti i kësaj situate do të ketë forcën ta shtyjë Komunitetin Europian, të gjitha shtetet, drejt një hapi të rëndësishëm. Sepse Bashkimi Europian është projekti më i bukur politik që unë njoh, por është një projekt jo i plotë, ka ardhur koha që të shkojmë përpara dhe ta ndërtojmë atë”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments