×
Wednesday, December 11, 2024

Balla: Keqardhje për qëndrimin e PD kundër drejtësisë

December 10, 2019


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se pretenca e Prokurorisë ndaj Ervin Salianjit është dhënë nga dy prokurorë të korruptuar të Edi Ramës.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, numri dy i PS-së Taulant Balla deklaron se Lulzim Basha është i vetëdijshëm për batak-babalen ku u vetëpërfshi me dashje, bashkë me të tjerë si Ervin Salianji.

Sipas Ballës sulmi i Bashës shënjestroi edhe një nga prokurorët e dosjes, ku vetë ai është i pandehur dhe ky është një presion i hapur kundër Prokurorisë, e cila ende ka në hetim Kryetarin e PD.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Reagimi i të pandehurit ndaj një pretence të Prokurorit është i falshëm dhe emocional kur bëhet fjalë për çështjen e tij. Por sulmi i Lulzim Bashës ndaj Prokurorisë sot është ripërsëritje ogurzezë e qëndrimit obstruktiv të PD ndaj drejtësisë. Prokuroria është e mirë kur ngre akuzë ndaj kundërshtarit dhe qenka e keqe kur akuzon ty apo anëtarin e çetës tënde?!

Sulmi i Lulzim Bashës shënjestroi edhe një nga prokurorët e dosjes ku vetë Lulzim Basha është i pandehur. Kjo është e papranueshme dhe është një presion i hapur kundër Prokurorisë, e cila ende ka në hetim Kryetarin e PD.

Përdorimi nga ana e Lulzim Bashës e pretencës ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, për sulme personale ndaj Prokurorisë e zhyt Partinë Demokratike edhe më thellë në baltën ku vetë mbytet prej shumë kohësh. Lulzim Basha është i vetëdijshëm për batak-babalen ku u vetëpërfshi me dashje, bashkë me të tjerë si Ervin Salianji.

Teksa vëmendja jonë është tek familjet e që prekura nga fatkeqësia që solli tërmeti dhe tek rindërtimi, ende shpresojmë se Partia Demokratike do të ndryshojë qasjen e saj ndaj drejtësisë dhe Shqipërisë sonë të përbashkët.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments