Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së një grupi shqiptarësh në Dublin, të cilët e pritën me thirrje kundër qeverisë dhe e qëlluan me vezë gjatë largimit të tij nga një aktivitet.
I pyetur nga gazetarët për incidentin, Rama e cilësoi protestën si pjesë të funksionimit të një vendi demokratik, duke theksuar se, pavarësisht ngjarjes, ndihej i mirëpritur në Irlandë.
“Ky është një vend demokratik dhe qeveriset nga rregulla dhe ligje. Ajo që ndodhi është pjesë e një vendi demokratik dhe ka të bëjë me rregullat dhe ligjet”, deklaroi kryeministri.
“Ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash”
Rama tha se protesta nuk kishte ndikuar në përshtypjet e tij për vizitën në Dublin, ku kishte marrë pjesë në një bashkëbisedim në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA).
“Ndihem shumë i mirëpritur në Irlandë. Pata një bisedë shumë të mirë në një institut studimor mjaft prestigjioz dhe, po, ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, u shpreh Rama.
Kryeministri nuk e konsideroi protestën si një pengesë për zhvillimin e aktiviteteve të tij në kryeqytetin irlandez.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit
Incidenti ndodhi gjatë largimit të Ramës nga një ambient në Dublin, ku një grup shqiptarësh ishte mbledhur për të protestuar kundër tij.
Protestuesit lëshuan thirrje kundër qeverisë shqiptare, ndërsa drejt kryeministrit u hodhën edhe vezë.
Mes thirrjeve të dëgjuara ishin “Kriminel, jep dorëheqjen!” dhe “Shqipëria nuk është në shitje!”, përmes të cilave pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kreut të qeverisë.
Ngjarja u regjistrua gjatë vizitës së Ramës në Irlandë, ku ai po merr pjesë në takime ndërkombëtare dhe aktivitete të lidhura me Komunitetin Politik Europian.
Pavarësisht protestës, kryeministri theksoi se e konsideron shprehjen e pakënaqësisë nga qytetarët si pjesë të demokracisë dhe të së drejtës për të protestuar.


