Apeli i Di Maio: Boll me polemika, vendi po përjeton ditë të vështira, vini maskën



Mbi 15 000 infeksione të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit në Itali.
”Por, përkundër kësaj, ka njerëz që kanë guximin të ushqejnë polemika të kota kundër atyre që vunë në dispozicion popullaritetin e tyre për të sensibilizuar fëmijët për përdorimin e maskës, e cila mbetet një mjet thelbësor për të shpëtuar veten nga virusi”, deklaroi në profilin e tij Facebook, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
Reagimi i Di Maios ishte në mbrojtje të polemikave ndaj videos së Fedez që këshillon të rinjtë të ndjekin masat paraprake për të frenuar sado pak pandeminë.
“Fedez, Chiara Ferragni dhe figura të tjera publike gjatë kësaj pandemie kanë shpenzuar shumë për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndihmuar konkretisht popullsinë, duke alokuar gjithashtu burime që mbështesin spitalet tona’’, shtoi Di Maio.
”Duhet t’u themi veçse faleminderit. Nuk është koha e polemikave, ka njerëz që vajtojnë të dashurit e tyre. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht çdo mjet për t’i bërë qytetarët të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të të tjerëve”, theksoi Di Maio.
Çifti i famshëm italian, reperi Fedez dhe infuencuesja e modës Chiara Ferragni, u ngarkuan nga qeveria për të përhapur mesazhe parandaluese për koronavirusin.
Në një video në Instagram, të shpërndarë gjerësisht në mediet sociale dhe italiane, Fedez shpjegoi se ai dhe bashkëshortja morën “një telefonatë të papritur” nga kryeministri Giuseppe Conte.
Duke folur nga Milano, një qytet në epiqendrën e krizës italiane të koronavirusit, Fedez tha se Conte kërkoi ta ndihmonte në inkurajimin e popullatës mbi përdorimin e maskave për fytyrën”.
Artisti vazhdoi duke thënë “jemi në një situatë shumë shumë delikate dhe Italia absolutisht nuk mund të përballojë një bllokim të ri”.
“Me një gjest të thjeshtë mund të shmangim disi një nga skenarët më të këqij që kemi provuar muajt e fundit: kështu që ju lutem, djema, vendosni një maskë”, tha çifti.
Fedez dhe Chiara Ferragni të cilët kanë mbi 32 milionë ndjekës të Instagram kanë qenë shumë aktivë në përpjekjet e bamirësisë lidhur me koronavirusin.
Në muajin mars, çifti nisi një apel në internet ku mblodhi gati 4,5 milionë euro për një njësi të re të kujdesit intensiv në spitalin ”San Raffaele” të Milanos.
Eunews.al
