×
Tuesday, March 21, 2023

Ambasada zbardh “takimet” e Palmer me Metën, Ramën e Bashën: Udhëheqësit politikë përgjegjës për zgjedhjet, mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi

April 7, 2021




Gjatë një “vizite virtuale” në Shqipëri zv.ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer u takua sot me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha, për të konfirmuar rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se “ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit”.

Me secilin prej udhëheqësve, thuhet në deklaratën e Ambasadës, zv.ndihmëssekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë, ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë.

“Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”, citohet deklarata.

Zv.ndihmëssekretari Palmer, vijon deklarata e Ambasadës, gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit.

“Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Në fund, Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.

“Zv.ndihmëssekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë amerikanë presin me kënaqësi që të rifillojnë vizitat fizikisht sapo rrethanat t’i lejojnë ato”, theksohet më tej.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments