Albin Kurti paralajmëron hapat drejt heqjes së tarifës
Qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë, ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Deklaratat e tilla Kurti i ka bërë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, ku ka thënë se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka qenë vendim i qeverisë së kaluar dhe se qeveria që ai drejton, nuk mbështet tarifat si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por është e angazhuar për reciprocitet, si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.
Siç ka thënë Kurti, parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës, do të jenë të bazuara ne parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA).LEXONI EDHE KËTË:Reciprociteti, përplasje e re me SHBA-në
Sipas tij, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, tashmë ka bërë disa hapa të cilët e sjellin qeverinë e vendit edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë.
“Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.
Eunews.al