Mijëra efektivë të sigurisë spanjolle dhe marokene janë dislokuar në kufijtë e Ceutës, pas përhapjes në rrjetet sociale të thirrjeve për një hyrje të re masive të emigrantëve në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut.
Masat vijnë pas mbërritjes së paprecedentë të rreth 72 mijë emigrantëve muajin e kaluar. Postime të bëra virale në rrjetet sociale kanë bërë thirrje që një tjetër tentativë masive të zhvillohet të shtunën, më 15 gusht, ditë feste kombëtare në Spanjë.
Autoritetet në Madrid dhe Rabat kanë monitoruar thirrjet online dhe po koordinojnë masat për parandalimin e kalimeve të paligjshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Marokut, Rachid El Khalfi, deklaroi se vendi po merr “të gjitha masat e nevojshme për të penguar çdo tentativë për kalim të paligjshëm”. Mediat lokale kanë raportuar një shtim të ndjeshëm të forcave marokene rreth qytetit kufitar Fnideq.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, vizitoi Ceutën për të inspektuar infrastrukturën kufitare dhe një barrierë të re detare, e projektuar për të penguar kalimin e emigrantëve me not drejt enklavës.
Forcat e sigurisë në Ceuta janë përforcuar gjithashtu me 300 policë dhe rreth 2 mijë ushtarë shtesë.
“E bëjmë këtë për të dekurajuar këdo që synon të hyjë në mënyrë të parregullt në Ceuta dhe Melilla. Asnjëri prej tyre nuk do të qëndrojë në Ceuta, nuk do të arrijë në Gadishullin Iberik dhe nuk do të marrë status ligjor”, deklaroi Grande-Marlaska.
Frika për një valë të re emigrantësh më 15 gusht ka shkaktuar reagime edhe në vende të tjera evropiane.
Ministrja austriake për Evropën, Integrimin dhe Familjen, Claudia Bauer, i ka kërkuar Madridit të forcojë ndjeshëm mbrojtjen e kufijve në enklavat e tij afrikane.
Edhe qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni ka përmendur rrezikun e një mbërritjeje masive emigrantësh në mesin e gushtit si një nga arsyet për vazhdimin e kontrolleve kufitare ndaj udhëtarëve që vijnë nga Spanja.


