Bordi i Paqes prezanton planin 2.45 miliardë dollarë për Gazën, 66 projekte në gjashtë muaj

24 Sep 2026 • 12:06
Shpërndaje:

Bordi i Paqes, i krijuar në kuadër të planit të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, ka prezantuar një program prej 2.45 miliardë dollarësh për fazën e parë të rimëkëmbjes së territorit palestinez.

Plani u prezantua në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe parashikon realizimin e 66 projekteve gjatë gjashtë muajve.

Projektet përfshijnë strehimin e përkohshëm, largimin e rrënojave dhe municioneve të pashpërthyera, rehabilitimin e spitaleve dhe rrugëve, rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe masa për rimëkëmbjen ekonomike. Vetëm për strehimin e përkohshëm parashikohen rreth 400 milionë dollarë, ndërsa rreth 275 milionë dollarë do të shkonin për pastrimin e rrënojave dhe municioneve të pashpërthyera.

Reklamë Ola

Megjithatë, financimi mbetet një nga sfidat kryesore. Sipas zyrtarëve të Bordit, rreth 17 miliardë dollarë janë premtuar nga vende donatore, por deri tani vetëm 280 milionë dollarë janë transferuar.

Përmasat e rindërtimit janë shumë më të mëdha se faza e parë e planit. Bordi vlerëson dëmet fizike në Gaza në rreth 35.2 miliardë dollarë, ndërsa rimëkëmbja dhe rindërtimi gjatë dekadës së ardhshme mund të kërkojnë rreth 71.4 miliardë dollarë.

Reklamë InterMedika

Jared Kushner, i cili është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për Gazën, pranoi se zbatimi i planit ka hasur pengesa, por tha se synimi është kalimi nga faza e përgatitjeve në rezultate konkrete për popullsinë palestineze.

Edhe i dërguari amerikan Steve Witkoff theksoi se nuk ka një rrugë të shkurtër për realizimin e projektit dhe kërkoi mbështetje ndërkombëtare për zbatimin e tij.

Një nga pengesat kryesore mbetet çarmatimi i Hamasit dhe transferimi i administrimit të Gazës te struktura palestineze teknokrate. Sipas planit, rindërtimi do të ecë paralelisht me çarmatimin e grupeve të armatosura dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite. Bisedimet me Izraelin për zbatimin e kësaj skeme vazhdojnë të jenë të vështira.

Plani parashikon gjithashtu angazhimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, trajnimin e një force të re policore në Gaza, pastrimin e tuneleve dhe masa të tjera sigurie që do të krijonin kushtet për rindërtimin.

Bordi synon që procesi të përfshijë të gjithë territorin e Gazës, duke nisur nga Rafah dhe duke vijuar drejt Khan Younis, Gazës qendrore, qytetit të Gazës dhe veriut të enklavës.