SHBA dhe Kina zgjasin armëpushimin tregtar, marrëveshja shtyhet deri më 10 janar

24 Sep 2026 • 09:02
Shpërndaje:

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të zgjasin me dy muaj armëpushimin tregtar mes tyre, duke shtyrë deri më 10 janar 2027 afatin e marrëveshjes që synon të frenojë përshkallëzimin e tensioneve ekonomike mes dy fuqive.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng në Uashington, në prag të samitit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut kinez Xi Jinping.

Marrëveshja, e njohur si “Marrëveshja e Busanit”, ishte parashikuar të përfundonte më 10 nëntor. Me vendimin e ri, Uashingtoni dhe Pekini fitojnë edhe dy muaj kohë për të negociuar një marrëveshje më të gjerë ekonomike.

Reklamë Ola

“Ramë dakord sot që të zgjasim atë që e quajmë Marrëveshja e Busanit, uljen e tensioneve ekonomike mes dy vendeve tona”, deklaroi Bessent për Fox News, duke shtuar se shtyrja deri më 10 janar do t’u japë palëve më shumë kohë për të parë se çfarë mund të arrihet në frontin ekonomik.

Njoftimi për zgjatjen e armëpushimit tregtar përkon me vizitën shtetërore të Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara. Trump e priti personalisht liderin kinez në Joint Base Andrews, përpara takimeve të nivelit të lartë në Uashington.

Reklamë InterMedika

Tregtia pritet të jetë një nga çështjet kryesore në bisedimet Trump–Xi. Në tryezë janë tarifat, mineralet kritike dhe tokat e rralla, si dhe rivaliteti teknologjik mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Palët po zhvillojnë gjithashtu bisedime për inteligjencën artificiale dhe mundësinë e krijimit të një mekanizmi komunikimi për incidente që lidhen me këtë teknologji.

Armëpushimi tregtar ishte arritur vitin e kaluar në Busan të Koresë së Jugut dhe kishte frenuar një pjesë të përshkallëzimit të tarifave dhe masave hakmarrëse mes Uashingtonit dhe Pekinit. Zgjatja e tij deri në janar u jep dy qeverive një dritare të re negociatash për të tentuar një marrëveshje më të gjerë.