Begaj dekreton shkarkimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH

22 Sep 2026 22:20
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të martë shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Vendimi është marrë me propozim të Kryeministrit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të Presidencës, ku sqarohet edhe baza ligjore mbi të cilën është firmosur dekreti.

“Presidenti Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit’, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Reklamë Ola

Dekreti i Presidentit vjen pas zhvillimeve të së martës lidhur me drejtuesen e SHISH. GJKKO ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa në mbrëmje ajo u ndalua nga autoritetet dhe u shoqërua në banesë për ekzekutimin e masës.

Hyseni drejtonte Shërbimin Informativ të Shtetit që prej vitit 2023, kur ishte emëruar në këtë post me dekret të Presidentit Begaj, pas propozimit të Kryeministrit.

Reklamë InterMedika