Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një pezullim të sulmeve të Ukrainës dhe Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës.
Nisma u diskutua gjatë takimeve që Macron zhvilloi në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Pas një takimi me presidentin amerikan Donald Trump, Macron bëri të ditur se të dy kishin diskutuar bashkërendimin e përpjekjeve për të siguruar një moratorium mbi sulmet ndaj objekteve energjetike.
Presidenti francez e diskutoi mundësinë e një “armëpushimi energjetik” edhe me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.
Nisma e Macronit vjen në një kohë kur Trump ka shtuar presionin ndaj Kievit për të ndaluar sulmet kundër sektorit energjetik rus.
“Zelensky duhet të bëjë një gjë: të ndalojë goditjen e prodhimit të naftës në Rusi”, deklaroi Trump më 13 shtator. Ai argumentoi se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare lidhet kryesisht me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Ukraina ka vijuar të godasë infrastrukturën energjetike ruse. Një sulm i kryer gjatë natës shkaktoi zjarr në një rafineri të madhe në rajonin e Samarës, në jugperëndim të Rusisë.
Forcat e Armatosura të Ukrainës pretendojnë se sulmet e kryera kundër impianteve ruse të naftës që prej qershorit kanë nxjerrë jashtë funksionit pothuajse gjysmën e kapacitetit të rafinimit të vendit.
Edhe Moska ka goditur vazhdimisht sektorin energjetik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për mijëra qytetarë.
Zelensky sinjalizoi të hënën se Kievi është i interesuar për një ulje të ndërsjellë të sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës kritike.
Presidenti ukrainas pritet të takohet me Trumpin të martën në Nju Jork, ndërsa çështja e armëpushimit energjetik pritet të jetë pjesë e diskutimeve.


