Trump kërkon fundin e luftës në Ukrainë: Konflikt absurd dhe i pafund, po vuan e gjithë bota

21 Sep 2026 22:10
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se sektori energjetik i Rusisë është dëmtuar rëndë nga lufta në Ukrainë, ndërsa bëri thirrje për përfundimin e konfliktit mes Moskës dhe Kievit.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump iu referua intensifikimit të sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse, të cilat, sipas raportimeve, kanë nxjerrë jashtë funksionit një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të rafinimit.

“Rusia, fatkeqësisht, ka humbur kontrollin e industrisë së saj të naftës dizel për shkak të luftës me Ukrainën”, shkroi presidenti amerikan.

Reklamë Ola

Trump tha se një numër i madh rafinerish ruse janë goditur dhe janë nxjerrë, të paktën përkohësisht, jashtë funksionit.

“Shumë prej rafinerive të tyre të naftës dizel janë hedhur në erë dhe, të paktën për momentin, nuk janë në gjendje pune”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Presidenti amerikan e përfundoi mesazhin me një kërkesë të drejtpërdrejtë për ndalimin e luftimeve, duke përmendur numrin e lartë të viktimave.

“Kjo luftë absurde dhe e pafund me Ukrainën duhet të marrë fund. E gjithë bota po vuan, ndërsa 25 mijë persona, kryesisht ushtarë, po vriten çdo muaj. Çfarë turpi”, shkroi Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, nëse Moska ndërmerr të njëjtin hap ndaj Ukrainës.

“Sektori energjetik i Ukrainës, infrastruktura kritike dhe eksportet tona ushqimore duhet të pushojnë së qeni objektiva të Rusisë. Kjo do të sillte hapa të ngjashëm për uljen e tensioneve nga ana jonë”, shkroi Zelensky në platformën X.

Ai shtoi se natyra e luftës ka ndryshuar dhe se tashmë pasojat po prekin drejtpërdrejt edhe vendin që nisi agresionin.

“Natyra e luftës sot është e tillë që edhe agresori do të vuajë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Më herët gjatë këtij muaji, Trump i kishte kërkuar Ukrainës të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, duke argumentuar se dëmtimi i industrisë së naftës dizel po krijonte mungesa karburanti dhe po prekte tregun botëror.

Trump dhe Zelensky pritet të takohen të martën në Nju Jork. Presidenti ukrainas ka deklaruar se takimi “mund të ndryshojë shumë”, duke vlerësuar se aktualisht ekziston një moment i favorshëm diplomatik.

“Ka ide për hapa që do të ulnin tensionet dhe do të adresonin çështjet themelore të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e jetës njerëzore. Po punojmë së bashku me ekipin amerikan dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa vërtet seriozë”, tha Zelensky.