Shqipëria do të hapë Konsullatë të Përgjithshme në Detroit, Hoxha: Shteti më pranë diasporës

21 Sep 2026 15:59
Shpërndaje:

Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë të Përgjithshme në Detroit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për komunitetin shqiptar në Miçigan dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare me autoritetet lokale.

Njoftimi u bë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili mori pjesë në takimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptaro-amerikan në Miçigan.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi aktivitetin si një takim të ngrohtë dhe një bashkëbisedim të hapur për Shqipërinë, shqiptarët dhe çështjet që i bashkojnë.

Reklamë Ola

“Së shpejti, Shqipëria do të hapë Konsullatën e Përgjithshme në Detroit, për ta sjellë shtetin më pranë qytetarëve, me shërbime konsullore më të mira, më shumë ndërveprim e mbështetje, si dhe lidhje më të forta ekonomike e tregtare me aktorët dhe autoritetet lokale e shtetërore, në funksion të interesave tona kombëtare”, shkroi ministri.

Sipas Hoxhës, qeveria është angazhuar që shërbimet publike shqiptare të jenë të pranishme dhe funksionale në çdo vend ku ka nevojë komuniteti.

Reklamë InterMedika

“Jemi angazhuar dhe do të bëjmë gjithçka që shërbimi ynë publik të jetë, kudo ku ka nevojë, pranë shqiptarëve, sa më funksional dhe sa më efikas”, deklaroi ai.

Konsullata e re pritet t’u shërbejë dhjetëra mijëra shqiptarëve që jetojnë në Miçigan dhe në shtetet përreth, duke ua lehtësuar aksesin në shërbimet konsullore dhe komunikimin me institucionet shqiptare.

Ministri vuri në dukje edhe rëndësinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në Miçigan, të cilin e cilësoi të mirëintegruar në jetën amerikane, por njëkohësisht të lidhur fort me Shqipërinë.

“Sepse kudo ku janë shqiptarët, aty është edhe Shqipëria. Aty duhet të jetë edhe shteti shqiptar: pranë tyre, në shërbim të tyre dhe krah tyre”, shkroi Hoxha.

Ai theksoi gjithashtu rolin që institucionet shqiptare duhet të luajnë në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe, identitetit kombëtar dhe lidhjeve me atdheun ndër breza.