Erdogan: Anëtarësimi në BE nuk është më prioritet i Turqisë

18 Sep 2026 08:42
Shpërndaje:

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më ndër prioritetet kryesore të Turqisë, megjithëse Ankaraja nuk e ka mbyllur përfundimisht derën për integrimin në bllok.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për Al Jazeera, ku foli për marrëdhëniet e gjata dhe të vështira mes Turqisë dhe BE-së.

Erdogan kritikoi qëndrimin e Brukselit ndaj vendit të tij, duke deklaruar se Turqia ka pritur për 53 vjet që të integrohet në Bashkimin Evropian.

Reklamë Ola

“Evropa nuk e ka integruar Turqinë për 53 vjet dhe nuk planifikon ta bëjë këtë as tani e tutje. Ne nuk e kemi mbyllur derën”, tha ai.

Presidenti turk bëri të qartë se Ankaraja nuk po ushtron më të njëjtin presion për t’u pranuar në BE dhe se rezultati i procesit nuk është vendimtar për të ardhmen e vendit.

Reklamë InterMedika

“Ne po e shqyrtojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nëse na pranojnë, është në rregull; nëse nuk na pranojnë, përsëri është në rregull”, deklaroi Erdogan.

Ai theksoi se integrimi evropian nuk ndodhet më në krye të axhendës politike të Ankarasë dhe paralajmëroi se një refuzim i vazhdueshëm do të dëmtonte më shumë vetë Bashkimin Evropian.

“Prioriteti ynë nuk është Bashkimi Evropian. Ne u themi vazhdimisht se do të jenë ata që do të humbasin, jo Turqia”, u shpreh presidenti turk.

Deklaratat sinjalizojnë një distancim të mëtejshëm politik nga Brukseli, megjithëse Erdogan la të hapur mundësinë e anëtarësimit, nëse vendet e BE-së vendosin ta avancojnë procesin.