Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burg nga Gjykata Speciale

16 Sep 2026 11:55
Shpërndaje:

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 25 vjet burgim ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Vendimi u shpall këtë të mërkurë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Krasniqit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Krasniqi përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekjen, burgosjen, arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor dhe zhdukjen me forcë të personave.

Reklamë Ola

Gjatë gjithë procesit, ish-kryeparlamentari i Kosovës është deklaruar i pafajshëm dhe i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Krasniqi u arrestua dhe u transferua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020. Koha e kaluar në paraburgim pritet të llogaritet në masën e dënimit.

Reklamë InterMedika

Procesi gjyqësor nisi në prill të vitit 2023, ndërsa gjatë tij u dëgjuan 134 dëshmitarë dhe u administrua një numër i madh provash nga Prokuroria, përfaqësuesi i viktimave dhe ekipet e mbrojtjes.

Vendimi është i shkallës së parë dhe jo përfundimtar. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë të drejtë ta ankimojnë atë sipas procedurave të Dhomave të Specializuara.