Mbyllet thirrja për Rrjetin MIA, Rama: 245 aplikime dhe ide për përdorimin e inteligjencës artificiale

15 Sep 2026 10:39
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbylljes së thirrjes për Rrjetin MIA, duke njoftuar se janë regjistruar gjithsej 245 aplikime nga individë dhe subjekte të fushave të ndryshme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi rezultatin si një “sukses absolut”, ndërsa bëri të ditur se interes për t’u përfshirë në këtë nismë kanë shfaqur të sapodiplomuar me rezultate të larta, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike dhe studio të dizajnit grafik.

Sipas kryeministrit, aplikantët kanë paraqitur propozime që synojnë ta bëjnë më të thjeshtë dhe më të kuptueshme gjuhën e përdorur nga institucionet shtetërore. Mes ideve të paraqitura janë edhe përmirësimi i mënyrës së informimit të qytetarëve, krijimi më sistematik i videove informative, përdorimi më i gjerë i inteligjencës artificiale dhe zhvillimi i formateve të reja krijuese për Rrjetin MIA.

Reklamë Ola

Rama iu përgjigj gjithashtu kritikave të ngritura ndaj kësaj strukture, e cila është cilësuar nga kundërshtarët e qeverisë si një “agjenci propagande e regjimit”. Ai përdori numrin e lartë të aplikimeve për të kundërshtuar këto akuza dhe për të vënë në pikëpyetje narrativën e kritikëve.

“Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?”, shkroi kreu i qeverisë.

Reklamë InterMedika

Në vijim të reagimit, Rama ironizoi akuzat për “regjim”, duke deklaruar se interesi i treguar për Rrjetin MIA dëshmon, sipas tij, se kjo narrativë nuk bind më as ata që e përsërisin.

“Ose ‘regjimi’ e ka harruar fare zanatin e terrorit, ose propaganda e ‘regjimit’ ka dështuar, ose pastaj përralla e ‘regjimit’ nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë”, përfundoi Rama.

Postimi i plotë i Ramës:

“Thirrja për Rrjetin MIA u mbyll me një sukses absolut:

Plot 245 aplikime nga ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike, studio dizajni grafik dhe të tjerë akoma.

Kanë ardhur ide për ta bërë më të thjeshtë gjuhën e shtetit, më të kuptueshëm informacionin për qytetarët, më sistematike videot informative, më prezente inteligjencën artificiale dhe më kreativ në formate Rrjetin MIA.

Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?

Ose ‘regjimi’ e ka harruar fare zanatin e terrorit, ose propaganda e ‘regjimit’ ka dështuar, ose pastaj përralla e ‘regjimit’ nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë.”