Sekuestrohet llogaria ku Ilaria Salis merr pagën si eurodeputete

14 Sep 2026 12:57
Shpërndaje:

Llogaria bankare ku Ilaria Salis merr pagën si anëtare e Parlamentit Europian është vendosur nën sekuestro për shkak të mospagimit të rreth 7 mijë eurove shpenzime gjyqësore.

Zhvillimi përbën kapitullin e fundit të përplasjes ligjore mes eurodeputetes së Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës dhe dy ish-asistentëve të saj parlamentarë, Valentina Dadda dhe François Gelmetti. Çështja është raportuar nga gazeta italiane “Il Giornale”.

Dy ish-bashkëpunëtorët iu drejtuan Gjykatës së Punës në Milano, duke pretenduar se ishin larguar nga puna pa shkaqe të ligjshme. Në përfundim të gjykimit të shkallës së parë, gjykata u dha atyre të drejtë dhe caktoi një dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh për secilin.

Reklamë Ola

Shuma e përgjithshme prej 300 mijë eurosh përllogaritet mbi pagat që Dadda dhe Gelmetti do të kishin marrë nëse do të vazhdonin detyrën deri në përfundim të mandatit në Parlamentin Europian.

Salis e apeloi vendimin, duke argumentuar se dy ish-asistentët kishin kryer shkelje të rënda të detyrimeve të tyre. Ajo nisi gjithashtu dy procedura civile për pezullimin e ekzekutimit të vendimit dhe të urdhrave të pagesës.

Reklamë InterMedika

Kërkesat u rrëzuan dhe eurodeputetja u urdhërua të paguante rreth 7 mijë euro shpenzime gjyqësore. Për shkak të mospagimit të kësaj shume, avokatët e ish-bashkëpunëtorëve nisën procedurën për sekuestrimin e llogarisë së saj bankare.

Ekzekutimi i dëmshpërblimit kryesor prej 300 mijë eurosh mbetet i pezulluar, ndërsa vendimi i Gjykatës së Apelit pritet në tetor.

Avokatët e Salis mohojnë se eurodeputetja ka refuzuar të paguajë. Sipas tyre, asaj nuk i është komunikuar në mënyrë të rregullt dhe të plotë asnjë kërkesë pagese.

“Ajo nuk ka marrë as aktin e urdhërimit për pagesë dhe as aktin e sekuestrimit. Deri më sot, nuk është në dijeni të shumës së saktë që kërkohet dhe as të të dhënave bankare të nevojshme për kryerjen e pagesës”, deklaruan përfaqësuesit e saj ligjorë.

Ilaria Salis është bërë e njohur edhe për publikun shqiptar pas pjesëmarrjes së saj në protestën e 27 qershorit 2026 në Tiranë, ku mbajti një fjalim përpara Kryeministrisë në kuadër të të ashtuquajturit “Revolucioni i Flamingove”.