Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe karburanteve në Rusi, duke argumentuar se ato po ndikojnë në furnizimin dhe ekonominë botërore.
Gjatë një prononcimi për gazetarët nga klubi i tij i golfit në Doonbeg të Irlandës, Trump deklaroi se mungesat e naftës në tregjet ndërkombëtare lidhen me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe jo me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Zelensky duhet të bëjë një gjë: të ndalojë shkatërrimin e karburantit dizel në Rusi. Ai po krijon mungesë të naftës. Kjo nuk po ndodh për shkak të Lindjes së Mesme, por për shkak të asaj që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi se Kievi mund të vazhdojë ndjekjen e objektivave të tij ushtarakë, por duhet të shmangë goditjen e sektorit rus të naftës.
“Le të ndjekë qëllimet e tij, por jo naftën, sepse ajo shkakton mungesë dhe dëmton botën”, deklaroi ai.
Prej muajsh, Ukraina po zhvillon një fushatë sulmesh me dronë dhe armë me rreze të gjatë veprimi kundër industrisë ruse të naftës dhe gazit.
Kievi argumenton se ky sektor përbën një nga burimet kryesore të financimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Sulmet kanë goditur rafineri, depo dhe objekte të tjera energjetike, duke shkaktuar kufizime në furnizimin e brendshëm me karburant në disa zona të Rusisë.
Në përgjigje, Moska ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, duke përdorur raketa balistike dhe dronë. Një pjesë e madhe e goditjeve ruse është përqendruar te rrjeti energjetik ukrainas, duke shtuar shqetësimet për furnizimin me energji përpara sezonit të dimrit.
Në planin diplomatik, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia është e hapur për rifillimin e bisedimeve të paqes gjatë vjeshtës, me përfshirjen e Moskës, Kievit dhe Uashingtonit.
Sipas Peskovit, tetori mbetet një mundësi për zhvillimin e negociatave të reja. Deklarata vjen pas vizitave të fundit të të dërguarve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff në Moskë dhe Kiev.
Pavarësisht sinjaleve për rikthimin e dialogut, qëndrimet e Rusisë dhe Ukrainës mbeten larg njëra-tjetrës. Pengesa kryesore vazhdon të jetë çështja e territoreve të pushtuara dhe kushtet që palët kërkojnë për përfundimin e luftës.


