Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pak ditë përpara shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të shpallet më 16 shtator. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama e nisi mesazhin me thirrjen: “Liri për çlirimtarët”.
Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi procesin gjyqësor si një “farsë” dhe deklaroi se, pavarësisht kohës së kaluar në paraburgim, liria dhe e vërteta nuk mund t’u mohohen ish-krerëve të UÇK-së.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund”, shkroi Rama.
Kryeministri e lidhi qëndresën e Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij me historinë e Kosovës dhe përpjekjet e saj për çlirim.
“Ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e së vërtetës së tij”, vijoi ai.
Sipas Ramës, vitet e paraburgimit nuk e kanë dobësuar besimin në pafajësinë dhe të vërtetën e ish-krerëve të UÇK-së. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë marrë nga shqiptarët gjatë procesit në Hagë.
Reagimi vjen në prag të një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa vëmendja në Kosovë dhe Shqipëri është përqendruar te vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator.


