Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Besfort Lamallari është liruar nga detyra, ndërsa postin e tij do ta marrë Ervin Demo, deri tani ministër i Pushtetit Vendor.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama u shfaq në zyrën e tij së bashku me Lamallarin dhe Demon, duke shpjeguar edhe rolet e reja që do të marrin dy zyrtarët.
Kryeministri bëri të ditur se Lamallari do t’i bashkohet ekipit të tij në Kryeministri në rolin e këshilltarit, ndërsa Demo do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
“Sot kemi vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se çështjet e pushtetit vendor do të integrohen në strukturën e Ministrisë së Brendshme.
“Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore. Kjo nuk është diçka e re në historikun e Ministrisë”, tha Rama.
Në fund të mesazhit, kryeministri falënderoi Lamallarin për punën e deritanishme dhe të dy zyrtarët për angazhimin e tyre të mëtejshëm.
Nga ana e tij, Lamallari falënderoi Ramën për besimin e dhënë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke deklaruar se përvoja në qeveri e kishte ndihmuar të rritej profesionalisht dhe personalisht.
“Jam munduar të mos ju zhgënjej kurrë. Është kënaqësi dhe nder. Do ta vazhdoj rrugëtimin dhe do të jem në krahun tuaj për të gjitha punët e mira që e presin Shqipërinë”, u shpreh Lamallari.


