Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione mes mazhorancës dhe opozitës, ku Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u përjashtua nga punimet pasi hodhi ujë në drejtim të Kryeministrit Edi Rama.
Incidenti ndodhi teksa deputetët e mazhorancës vijonin votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, ndërsa deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren dhe po protestonin duke krijuar zhurmë e duke goditur tavolinat me sende.
Në kulmin e tensionit, Bardhi u ngrit nga vendi dhe hodhi ujë në drejtim të kryeministrit, duke e lagur atë.
Pas incidentit, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, njoftoi përjashtimin e deputetit demokrat nga seanca plenare për shkak të sjelljes së tij.
Megjithatë, pavarësisht vendimit për përjashtim, Bardhi vijoi të qëndrojë në sallën e Kuvendit, ndërsa mazhoranca nuk ndërpreu punimet dhe vazhdoi me votimin e projektligjeve të rendit të ditës.