×
Tuesday, July 21, 2026

Rama: “Paketa e Maleve” do të jetë një histori suksesi, flamingot janë simboli i Shqipërisë së re

July 21, 2026


Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestën, e cila ka hyrë në ditën e saj të 52-të, duke mbrojtur nismën “Paketa e Maleve” dhe duke përdorur sërish metaforën e “flamingove” dhe “korbave” për të përshkruar, sipas tij, përplasjen mes dy vizioneve për të ardhmen e vendit.

Në një bashkëbisedim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “Paketa e Maleve” është një instrument që u jep banorëve mundësinë të zhvillojnë pronat e tyre dhe t’i kthejnë ato në burim mirëqenieje.

“‘Paketa e Maleve’ është gjëja që i ka munguar njerëzve që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë atë në një burim mirëqenieje. Kjo është ‘Paketa e Maleve’. Zhurma, llafet, akuzat, shpifjet dhe sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to,” tha ai.

Kryeministri deklaroi se nisma do të shndërrohet në një histori suksesi për Shqipërinë, duke shtuar se zhvillimi i zonave malore do ta kthejë vendin në një “Zvicër të vogël”.

Ai njoftoi gjithashtu se do të vizitojë Thethin për të parë nga afër zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të agroturizmit.

Sipas Ramës, sipërmarrësit që investojnë në zonat malore janë bërë objekt sulmesh të padrejta.

“Ata njerëz që punojnë, krijojnë vende pune dhe fitojnë me punë u bënë target i sulmeve më agresive dhe më të ulëta mbi djersën, sakrificat dhe mundin e tyre,” u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te metafora që ka përdorur ditët e fundit për “flamingot”, duke e cilësuar atë si simbol të Shqipërisë së re.

“Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Ndërsa historia e sorrave dhe korbave është historia e së shkuarës, e cila nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë,” deklaroi ai.

Kryeministri paralajmëroi se do të ndajë në ditët në vijim reflektimet e tij personale mbi këtë debat, duke thënë se ngjarjet e fundit e kanë bërë të mendojë më thellë.

Rama kritikoi gjithashtu grupimet që, sipas tij, kundërshtojnë investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Investimet e mëdha janë historia e së ardhmes. Shqipëria duhet ta çojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 27 miliardë euro në 35 miliardë euro deri në vitin 2030. Ata që thonë se Shqipëria duhet të jetë vetëm e shqiptarëve dhe pa të huaj janë gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë këtij vendi,” tha ai.

Në përfundim, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për atë që e quajti simbolika e “flamingove”, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj kritikëve të tij.

“Kam shumë respekt për flamingot që më kanë mësuar shumë dhe më kanë bërë të mendoj thellë. Ndërsa për sorrat dhe korbat kam vetëm refuzim dhe neveri. Ata mund të ulërijnë e të shajnë, por nuk do të kenë asnjë shans ta ndryshojnë rrugën që ka marrë Shqipëria,” përfundoi Rama.




Comments are closed.