×
Friday, July 17, 2026

Protothema: Shqiptarët nga punëtorë krahu u kthyen në pronarë kompanish ndërtimi në Greqi

July 16, 2026


Media greke Protothema i ka kushtuar një analizë të gjerë historisë së emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke theksuar transformimin e tyre nga punëtorë të pakualifikuar në sipërmarrës të suksesshëm, të cilët sot zotërojnë mijëra kompani ndërtimi dhe luajnë një rol kyç në industrinë greke të ndërtimit.

Sipas artikullit, emigrantët shqiptarë që mbërritën në Greqi gjatë viteve 1990, fillimisht si punëtorë krahu, arritën me kalimin e viteve të fitojnë njohuri teknike dhe përvojë profesionale, duke u bërë fillimisht mjeshtër të kualifikuar, më pas nënkontraktorë dhe sot pronarë të kompanive që realizojnë projekte të mëdha ndërtimi dhe rikonstruksioni.

Protothema kujton se periudha më e favorshme për emigrantët shqiptarë ishte ajo para dhe pas Lojërave Olimpike të Athinës në vitin 2004, kur sektori i ndërtimit në Greqi përjetoi një bum të paprecedentë.

Në atë periudhë, konkretisht gjatë viteve 2005–2006, numri real i emigrantëve shqiptarë në Greqi vlerësohej rreth 600 mijë persona, ndërsa rezidentët e regjistruar ligjërisht varionin nga 440 mijë deri në 500 mijë.

Sipas studimeve të kohës, rreth 32% e burrave shqiptarë të punësuar punonin në ndërtim, duke përbërë rreth 75% të të gjithë punëtorëve të huaj në këtë sektor. Në total, vlerësohet se 120 mijë deri në 150 mijë shqiptarë punonin në industrinë greke të ndërtimit, përfshirë edhe punësimin sezonal dhe informal.

Media greke thekson se shqiptarët preferoheshin nga kompanitë e ndërtimit jo vetëm për aftësitë profesionale që fituan me kalimin e viteve, por edhe sepse shumica kishin mësuar gjuhën greke dhe kishin krijuar reputacion si punëtorë të zellshëm, të besueshëm dhe të disiplinuar.

Edhe pse shumë prej tyre kishin përvojë të kufizuar kur mbërritën në Greqi, puna shumëvjeçare në kantieret e ndërtimit u dha mundësinë të specializoheshin në profesione të ndryshme si muratorë, suvatues, shtrues pllakash, bojaxhinj, elektricistë dhe drejtues ekipesh ndërtimi.

Protothema shkruan se vitet e zhvillimit ekonomik sollën një përmirësim të ndjeshëm të statusit social dhe ekonomik të emigrantëve shqiptarë, pasi puna ishte e bollshme dhe pagat të larta.

Megjithatë, kjo periudhë mori fund me shpërthimin e krizës financiare në Greqi, e cila goditi rëndë sektorin e ndërtimit.

Sipas artikullit, aktiviteti ndërtimor u tkurr me më shumë se 80%, duke sjellë humbjen e mijëra vendeve të punës. Si pasojë, më shumë se 75 mijë deri në 100 mijë shqiptarë u detyruan të largoheshin nga Greqia, duke u kthyer në Shqipëri ose duke emigruar drejt vendeve të Europës Veriore, si Gjermania, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Shumë prej tyre kishin marrë tashmë shtetësinë greke, çka u mundësoi të përfitonin nga lëvizja e lirë në Bashkimin Evropian dhe të gjenin punë me paga më të larta në tregjet europiane.

Pas krizës, numri i shqiptarëve aktivë në ndërtim në Greqi ra në më pak se 30 mijë, ndërsa shumica mbijetonte duke kryer punë të vogla rikonstruksioni, mirëmbajtjeje dhe riparimesh, veçanërisht në zonat turistike.

Sot, sipas Protothema, panorama ka ndryshuar sërish.

Me rimëkëmbjen e ekonomisë greke, rritjen e investimeve, kërkesën e lartë për banesa dhe zhvillimin e projekteve të mëdha si Ellinikon, sektori i ndërtimit po përjeton një tjetër periudhë zgjerimi.

Ndërkohë, brezi i parë i emigrantëve shqiptarë është në pension ose pranë pensionit, ndërsa shumë nga brezi i dytë janë larguar drejt vendeve të tjera europiane ose janë kthyer në Shqipëri, ku zhvillimi i bregdetit dhe ndërtimet në Tiranë kanë krijuar mundësi të reja punësimi.

Megjithatë, një numër i madh shqiptarësh vazhdon të jetojë dhe të punojë në Greqi, por tashmë në një rol krejtësisht tjetër.

Sipas të dhënave të Dhomës së Zejtarëve të Athinës (EEA), nga rreth 10 mijë sipërmarrës shqiptarë që operojnë në të gjithë Greqinë, më shumë se 5 mijë janë pronarë kompanish të vogla, të mesme ose të mëdha ndërtimi dhe kompanish teknike.

Vetëm në Athinë, sektori i ndërtimit përbën pjesën më të madhe të 4.460 bizneseve të regjistruara në pronësi të sipërmarrësve shqiptarë, të cilat operojnë në fusha si ndërtimet, rinovimet, suvatimet, lyerjet dhe shtrimi i pllakave.

Artikulli thekson se shumë prej ish-punëtorëve shqiptarë tashmë drejtojnë ekipe ndërtimi, punësojnë teknikë dhe punëtorë grekë dhe realizojnë projekte të rëndësishme ndërtimore në të gjithë vendin.

Protothema vëren se transformimi i shqiptarëve nga punëtorë me mëditje në sipërmarrës është rezultat i përvojës shumëvjeçare të fituar në industrinë greke të ndërtimit, e cila u ka dhënë atyre njohuritë dhe besueshmërinë për të ngritur bizneset e tyre.

Roli i kompanive shqiptare në sektorin grek të ndërtimit është bërë aq i rëndësishëm, sa është zgjeruar bashkëpunimi mes dy vendeve edhe në nivel institucional dhe profesional, përmes pjesëmarrjes së grupeve shqiptare në panaire të mëdha të ndërtimit në Greqi, si dhe përmes investimeve të tyre në pasuri të paluajtshme.

Sipas vlerësimeve të cituara nga media greke, aktualisht në Greqi punojnë rreth 20 mijë deri në 25 mijë shqiptarë në sektorin e ndërtimit, duke përfshirë punëtorët e specializuar, mjeshtrit dhe kontraktorët.

Megjithëse numri i tyre është dukshëm më i ulët krahasuar me dy dekadat e kaluara, shqiptarët vijojnë të përbëjnë shtyllën kryesore të ekipeve të specializuara të ndërtimit.

Protothema thekson se boshllëku i krijuar nga largimi i mijëra punëtorëve shqiptarë në kategorinë e punëtorëve të pakualifikuar, i vlerësuar në rreth 20 mijë deri në 25 mijë persona, po plotësohet tashmë përmes marrëveshjeve dypalëshe të Greqisë për sjelljen e punëtorëve nga vendet aziatike dhe nga Egjipti.




Comments are closed.