Këshilli Evropian ka emëruar diplomatin portugez Antero Lopes si shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas vendimit të Këshillit Evropian, Lopes do të marrë detyrën më 10 gusht 2026, me një mandat fillestar prej 10 muajsh, duke pasuar në këtë post italianin Giovanni Pietro Barbano.
Në njoftimin zyrtar, Bashkimi Evropian vlerëson se Antero Lopes sjell një përvojë të gjerë ndërkombëtare, me mbi 40 vite angazhim në diplomaci, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e sektorit të sigurisë.
Ai ka shërbyer për më shumë se 25 vjet në sistemin e Kombeve të Bashkuara, duke marrë pjesë në misione të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë UNPROFOR në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe për gjashtë vjet në Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Sipas Këshillit Evropian, përvoja e Lopes në udhëheqjen strategjike, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin me qeveritë dhe partnerët ndërkombëtarë pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në drejtimin e misionit EULEX dhe në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.


