×
Wednesday, July 15, 2026

Kosova i ndalon përgjithmonë hyrjen ministres serbe pas deklaratës për “spastrimin etnik”

July 14, 2026


Kosova e ka shpallur person “non grata” ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj, pas deklaratës së saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Vendimi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se ka firmosur aktin për ndalimin e përhershëm të hyrjes së ministres serbe në Kosovë.

Sipas Sveçlës, deklaratat e Paunoviq rikonfirmojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti i spastrimit etnik të shqiptarëve.

“Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, deklaroi ai.

Paunoviq shkaktoi reagime të forta pasi deklaroi për televizionin serb Kurir se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Më pas ajo sqaroi se nuk kishte parasysh likuidimin e shqiptarëve, por largimin e atyre që, sipas saj, “nuk ndiheshin qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë”.

Pavarësisht kritikave, ministrja serbe deklaroi të martën se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj dhe ritheksoi besnikërinë ndaj politikave të Partisë Socialiste të Serbisë.

Deklaratat e saj janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se në Evropë nuk ka vend për retorikë që promovon apo justifikon spastrimin etnik, ndërsa komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh e tronditur nga deklarata, duke theksuar se për qëndrime të tilla duhet të ketë “zero tolerancë”.

Edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, e cilësoi deklaratën si glorifikim të krimeve të luftës dhe një kërcënim për stabilitetin rajonal.

Analistët politikë në Kosovë dhe Serbi vlerësuan se deklaratat e Paunoviq tregojnë mungesën e përballjes së Serbisë me të kaluarën dhe ngritën shqetësimin se, nëse ajo nuk shkarkohet, kjo do të dërgonte një sinjal negativ për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13 mijë civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se drejtuesit e atëhershëm të Beogradit morën pjesë në një ndërmarrje kriminale që synonte dëbimin me forcë të shqiptarëve nga Kosova.




Comments are closed.