×
Sunday, July 12, 2026

Hashim Thaçi kërkon lirim me kusht nga Specialja, ofron 50 mijë euro garanci financiare

July 12, 2026


Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë me një kërkesë për lirimin e tij me kusht, duke argumentuar se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje dhe është i gatshëm të respektojë një sërë masash të rrepta sigurie.

Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, avokatët bëjnë të ditur se Thaçi ka ofruar një garanci financiare prej 50 mijë eurosh si kusht për lirimin e përkohshëm.

Sipas dokumentit, ish-presidenti është i gatshëm të mos largohet nga territori i Kosovës pa autorizim të Dhomave të Specializuara, të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument udhëtimi, si dhe të deklarojë adresën e banimit gjatë gjithë periudhës së procesit gjyqësor.

Ndër kushtet që Thaçi pranon janë edhe ndalimi i çdo kontakti me bashkë të akuzuarit, dëshmitarët dhe personat e përmendur në aktakuzë, paraqitja javore pranë Policisë së Kosovës, si dhe detyrimi për t’u rikthyer menjëherë në paraburgim nëse urdhërohet nga gjykata.

Po ashtu, ai angazhohet të mos bëjë deklarata publike për çështjen e tij, Dhomat e Specializuara apo Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe të mos diskutojë përmbajtjen e procesit gjyqësor me askënd, përveç ekipit të tij mbrojtës.

Mbrojtja argumenton se këto masa janë të ngjashme me ato që u janë vendosur edhe të bashkëakuzuarve të tjerë dhe përbëjnë një kornizë të përshtatshme për lirimin e përkohshëm të ish-presidentit. Tashmë pritet vendimi i Dhomave të Specializuara lidhur me këtë kërkesë.




Comments are closed.