Prokuroria Evropiane heton subvencionet e BE-së për kompanitë e lidhura me kryeministrin çek Babiš
Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) i ka ngarkuar policisë çeke të hetojë pagesat e subvencioneve të Bashkimit Evropian për kompanitë e grupit Agrofert, konglomerati agro-kimik i lidhur me kryeministrin çek Andrej Babiš.
Sipas një letre të datës 19 qershor, të firmosur nga prokurorja evropiane Daniela Bártíková, është vendosur nisja e procedimit penal për fondet e akorduara nga buxheti i Bashkimit Evropian.
Hetimi lidhet me subvencione të dhëna përpara mandatit aktual të Babiš, përfshirë periudhën kur ai shërbeu për herë të parë si kryeministër. Sipas vendimeve të mëparshme të gjykatave çeke dhe Komisionit Evropian, Babiš dyshohet se ka vijuar të ushtrojë kontroll mbi Agrofert, në kundërshtim me rregullat e BE-së për konfliktin e interesit.
Hetimi i EPPO-së pason një kallëzim penal të paraqitur në muajin shkurt nga një parti opozitare, e cila pretendon se autoritetet nuk kanë rikuperuar subvencionet e dhëna në mënyrë të paligjshme grupit Agrofert.
Çështja i është besuar Qendrës Kombëtare kundër Krimit të Organizuar në Çeki, një njësi e specializuar që heton raste të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mashtrimeve financiare.
Hetimi i Prokurorisë Evropiane përqendrohet vetëm te fondet e Bashkimit Evropian dhe nuk përfshin subvencionet e financuara nga buxheti kombëtar.
Për të shmangur konfliktin e interesit, Babiš kishte deklaruar më parë se e kishte transferuar Agrofert në një fond besimi. Megjithatë, kompania u vu sërish në qendër të vëmendjes pas publikimit të një dokumenti ligjor që ngrinte dyshime se ai nuk i kishte ndërprerë plotësisht lidhjet me konglomeratin.
Komisioni Evropian vijon të vlerësojë nëse autoritetet çeke kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të shkëputur lidhjet e Babiš me një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve evropiane. Ndërkohë, Çekia ka vendosur të vazhdojë pagesën e subvencioneve bujqësore të BE-së për Agrofert.
Nga ana e saj, kompania Agrofert deklaroi se nuk është objekt i hetimit penal. Zëdhënësi i saj, Pavel Heřmanský, tha se asnjë prej kompanive të grupit nuk është nën hetim dhe se të gjitha subvencionet janë marrë në përputhje me ligjin, duke i cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.
Zyra e kryeministrit Andrej Babiš nuk ka komentuar ende mbi zhvillimin.







