×
Wednesday, July 15, 2026

Ambasadori francez: Franca mbështet Kosovën dhe synon të zgjerojë bashkëpunimin

July 14, 2026


Në Ditën Kombëtare të Francës, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se Franca do të vijojë të mbështesë Kosovën dhe synon të intensifikojë bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha si ekonomia, kultura dhe sporti.

Në një intervistë për RTK, Guerot u ndal fillimisht te rëndësia e 14 Korrikut, Ditës së Bastijës, duke theksuar se ajo simbolizon lindjen e Republikës Franceze dhe vlerat e saj themelore: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë.

“14 korriku është festa kombëtare prej vitit 1880. Këto janë idetë e Republikës, me të cilat francezët janë shumë të lidhur: liria, barazia dhe vëllazëria”, u shpreh ambasadori.

Ai shpjegoi se festimet në Francë përfshijnë tri momente kryesore: mbrëmjen tradicionale të 13 korrikut me ballot e zjarrfikësve, paradën ushtarake të 14 korrikut dhe spektaklin e fishekzjarreve që organizohet në të gjithë vendin.

Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, Guerot theksoi se Franca ka qenë një mbështetëse e vazhdueshme e shtetësisë së saj.

“Franca është përkrah Kosovës prej fillimit. Është një aleat dhe një mik i besueshëm. E kemi mbështetur pavarësinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

Ambasadori veçoi gjithashtu mbështetjen që Franca synon të japë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke vënë në dispozicion përvojën e fituar nga organizimi i Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

“Jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë me Kosovën, në mënyrë që Lojërat Mesdhetare të jenë një sukses dhe një promovim i mirë për vendin”, tha Guerot.

Ai shtoi se Franca synon të zgjerojë bashkëpunimin edhe në kulturë, duke përmendur mbështetjen për kinematografinë kosovare, bashkëprodhimet filmike, festivalin “Anibar” dhe aktivitetin e Institutit Francez të Kosovës.

Në aspektin ekonomik, ambasadori përmendi investimet franceze në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe praninë e kompanive franceze në tregun kosovar, duke theksuar se ekziston potencial për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.




Comments are closed.