Kanye West falënderon Ramën dhe Shqipërinë pas koncertit: Mirënjohës për stadiumin dhe mikpritjen
Koncerti i Kanye West në “Eagle Stadium” në Tiranë u shndërrua në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke mbledhur rreth 60 mijë spektatorë dhe fansa nga 80 kombësi të ndryshme.
Atmosfera elektrizuese dhe pjesëmarrja masive e vizitorëve e kthyen kryeqytetin shqiptar në një pikë referimi për eventet ndërkombëtare të muzikës live.
Pas performancës, vetë artisti amerikan reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe organizimin e koncertit.
“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për ndërtimin e një stadiumi dhe për mikpritjen që më bëtë në vendin tuaj të bukur”, shkroi Kanye West.
Koncerti u zhvillua në “Eagle Stadium”, impiantin e përkohshëm të ngritur përgjatë aksit Tiranë–Durrës, ku artisti interpretoi disa nga hitet më të njohura të karrierës së tij përpara një publiku entuziast.
Ky aktivitet konsiderohet një nga eventet më të mëdha artistike të zhvilluara në vend, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve që presin spektakle muzikore me përmasa ndërkombëtare.







