Tirana u kthye mbrëmjen e së shtunës në epiqendrën e muzikës hip-hop, duke pritur një nga artistët më të njohur në botë, Kanye West. Reperi amerikan, i njohur edhe si Ye, performoi në “Eagle Stadium”, impianti i përkohshëm i ndërtuar përgjatë aksit Tiranë–Durrës, ku u mblodhën dhjetëra mijëra spektatorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.
Një ditë pas koncertit, kryeministri Edi Rama publikoi një videokartolinë nga atmosfera e mbrëmjes, duke theksuar se 80 kombësi u bënë bashkë në Tiranë për koncertin e artistit amerikan.
Sipas Ramës, eventi ishte një investim i rëndësishëm jo vetëm për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik, por edhe për ndikimin pozitiv në ekonominë e kryeqytetit, falë fluksit të vizitorëve dhe rritjes së aktivitetit në sektorët e turizmit dhe shërbimeve.
Koncerti u karakterizua nga një skenografi spektakolare, efekte vizuale dhe ndriçim modern, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte skena në formën e një globi, e cila krijoi një eksperiencë të veçantë për publikun.
Kanye West u ngjit në skenë rreth orës 21:15, duke interpretuar disa nga hitet më të njohura të karrierës së tij. Performanca u shoqërua me entuziazëm të madh nga fansat, të cilët e ndoqën artistin gjatë gjithë mbrëmjes.
Përpara koncertit, reperi amerikan u prit në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.