Rama për protestën e Zvërnecit: Nuk bëjmë projekte që nuk i pranon BE, disa eurodeputetë erdhën e folën përçart
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën për projektin në Zvërnec, e cila po zhvillohet prej disa javësh në Tiranë, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund të realizojë projekte që nuk përputhen me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë një deklarate publike, Rama theksoi se projekti është hartuar nga disa prej arkitektëve më të njohur në botë dhe kritikoi kundërshtimet ndaj tij, duke i cilësuar si të parakohshme.
“Për këtë projekt janë mbledhur disa nga arkitektët më të mirë të botës. Të dalësh dhe të sulmosh një projekt që akoma nuk është bërë është inkuizicion. Ku e di ti si do të jetë? Në fund fare një gjë është e sigurt, ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimi Europian. Nuk e bëjmë dot, ose duhet të themi që nuk futemi në BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te vizita e disa eurodeputetëve në protestën kundër projektit, duke minimizuar rëndësinë e qëndrimeve të tyre.
“Kur them Bashkimi Europian, unë flas për Komisionin Europian, nuk flas për ato 3-4 të gjelbrat që erdhën këtu dhe flisnin përçart”, deklaroi ai.
Projekti në Zvërnec ka shkaktuar debat publik dhe protesta nga aktivistë të shoqërisë civile, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin e tij në mjedis dhe në zonat e mbrojtura.







