Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA-ja do të përgjigjet me një sulm masiv nëse Teherani tenton ta eliminojë atë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se 1.000 raketa amerikane janë gati për lëshim dhe të drejtuara ndaj Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasonin menjëherë në rast të një atentati ndaj tij.
“1.000 raketa janë të gatshme për lëshim dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë, nëse qeveria iraniane vepron sipas kërcënimit të saj për të vrarë ose për të tentuar të vrasë presidentin në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë rast, mua”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se “urdhrat tashmë janë dhënë”, duke pretenduar se ushtria amerikane është e gatshme të ndërmarrë një operacion ushtarak të zgjatur për të “shkatërruar plotësisht” Iranin nëse një kërcënim i tillë materializohet.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm. Më herët, Trump deklaroi se armëpushimi me Iranin “ka marrë fund”, megjithëse theksoi se SHBA ka pranuar të vazhdojë bisedimet që, sipas tij, janë kërkuar nga pala iraniane.
Paralajmërimi i presidentit amerikan pason gjithashtu raportimet e Wall Street Journal, sipas të cilave Izraeli i ka ndarë SHBA-së informacione inteligjence që pretendojnë se Irani ka hartuar një plan të ri për atentat ndaj Trumpit.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, të ndërmjetësuar nga Pakistani, që synonte ndalimin e luftimeve, heqjen e bllokadës detare amerikane dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, marrëveshja u vu në pikëpyetje këtë javë, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme pas mosmarrëveshjeve për qarkullimin e trafikut tregtar në Hormuz. SHBA goditi objektiva në territorin iranian, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj objektivave amerikane në rajon.