×
Saturday, July 11, 2026

AMA godet një tjetër platformë piraterie, bëhet e paarritshme “shqiperia.dev”

July 11, 2026


Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka njoftuar se platforma e paligjshme “shqiperia.dev”, e cila ritransmetonte pa autorizim përmbajtje të operatorëve audiovizivë të licencuar në Shqipëri, është bërë e paarritshme pas ndërhyrjes së autoriteteve.

Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e AMA-s, Armela Krasniqi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas saj, platforma u raportua zyrtarisht nga AMA për shkelje të të drejtave të transmetimit, ndërsa kompania Cloudflare reagoi menjëherë, duke konfirmuar ankesën dhe duke identifikuar ofruesit e shërbimit të hostimit që mbështesnin funksionimin e faqes.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, faqja nuk është më e aksesueshme.

“Një tjetër pirat merr dënimin e merituar! Platforma e paligjshme shqiperia.dev, e cila ritransmetonte pa autorizim DigitAlb, Tring dhe operatorë të tjerë me licencë kombëtare, u raportua zyrtarisht nga AMA. Cloudflare u përgjigj menjëherë duke konfirmuar ankesën dhe duke zbuluar ofruesit e hosting-ut përgjegjës për infrastrukturën e sit-it. Si rezultat, platforma aktualisht është e paarritshme”, shkroi Krasniqi.

Drejtoresha e AMA-s theksoi se institucioni do të vazhdojë monitorimin dhe raportimin e çdo platforme të dyshuar për pirateri audiovizive, me synim mbrojtjen e operatorëve të licencuar, të drejtave të autorit dhe interesit të publikut.




Comments are closed.