×
Saturday, July 11, 2026

The New York Times: Pas sulmeve ndaj Iranit, administrata Trump rikthehet te strategjia e presionit ushtarak dhe sanksioneve

July 11, 2026


Pas heqjes së përjashtimeve nga sanksionet dhe bombardimeve amerikane ndaj më shumë se 170 objektivave në Iran, administrata e presidentit Donald Trump duket se është rikthyer te strategjia e njohur e kombinimit të presionit ushtarak me sanksionet ekonomike. Sipas një analize të The New York Times, mbetet e paqartë nëse Uashingtoni ka një plan alternativ për zgjidhjen e krizës.

Gazeta thekson se kjo qasje nuk arriti rezultatet e synuara as në të kaluarën, kur Trump shpresonte të detyronte Teheranin të ndryshonte kurs ose të bënte lëshime të mëdha në programin e tij bërthamor.

Pas përshkallëzimit të fundit, presidenti amerikan deklaroi në rrjetin Truth Social se SHBA është e gatshme të vazhdojë negociatat me Iranin, duke pretenduar se kërkesa ka ardhur nga Teherani. Megjithatë, ai shtoi se “armëpushimi ka marrë fund”, duke lënë të kuptohet se tensionet mbeten të larta.

Ndërkohë, Katari ka rifilluar përpjekjet ndërmjetësuese për të shmangur dështimin e plotë të dialogut. Emisarët e tij kanë udhëtuar drejt Teheranit në koordinim me SHBA-në, ndërsa burime amerikane bëjnë të ditur se negociatat teknike mund të rifillojnë javën e ardhshme, me gjasë në Zvicër.

Sipas The New York Times, një nga pikat më të ndërlikuara të negociatave nuk lidhet vetëm me programin bërthamor iranian, por edhe me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.

Në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes palëve, Irani angazhohej të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa vendosur tarifa për një periudhë 60-ditore. Uashingtoni e interpretoi këtë si një mekanizëm të përkohshëm për rihapjen e qarkullimit detar, ndërsa Teherani argumenton se marrëveshja nënkupton njohjen e rolit të tij në administrimin e Hormuzit dhe të drejtën për të vendosur rregulla për lundrimin në të ardhmen.

Memorandumi parashikon gjithashtu zhvillimin e bisedimeve mes Iranit, Omanit dhe vendeve të tjera të Gjirit për administrimin afatgjatë të ngushticës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, interpretimet e ndryshme të marrëveshjes u përplasën vetëm pak javë pas nënshkrimit të saj. Situata u tensionua më tej pasi Marina amerikane nisi të shoqëronte anijet tregtare në një korridor alternativ pranë Omanit, ndërsa forcat iraniane reaguan duke hapur zjarr, duke shkaktuar një bllokim të ri të trafikut detar.

Sipas analizës së The New York Times, dallimet mes palëve janë thellësisht politike. Ndërsa administrata Trump beson se interesat ekonomike mund ta shtyjnë Iranin drejt kompromisit, udhëheqja iraniane e konsideron kontrollin e Ngushticës së Hormuzit një çështje të sigurisë kombëtare dhe një prioritet strategjik, më të rëndësishëm se përfitimet ekonomike. Për këtë arsye, autoritetet iraniane vazhdojnë të shohin çdo marrëveshje diplomatike si një pauzë të përkohshme përpara një përballjeje të re me SHBA-në dhe Izraelin.




Comments are closed.