×
Friday, July 10, 2026

Rama prezanton “Rilindja Urbane 2.0”: 1.5 miliardë euro investime për qytetet, parkimet, muzetë dhe mjedisin

July 10, 2026


Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë të re investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro, që synon transformimin e mëtejshëm të qyteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe cilësisë së jetës në të gjithë vendin.

Gjatë aktivitetit “Rilindja 2.0 me energji të re”, Rama u ndal te pritshmëritë në rritje të qytetarëve, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të jetesës sjell kërkesa të reja për standarde më të larta.

“Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy, si e papranueshme, ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera. Ne nuk jemi më një shoqëri e varfër, edhe pse varfëria ekziston”, u shpreh Rama.

Ai solli si shembull reagimin e një drejtuesi vendor, i cili ishte ankuar për protestën e banorëve të një lagjeje ku ishin realizuar investime në rrugë, ndriçim dhe hapësira publike. Sipas kryeministrit, reagime të tilla tregojnë se qytetarët kërkojnë gjithnjë e më shumë cilësi dhe standarde më të larta.

Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prezantoi projektet konkrete që do të financohen në kuadër të programit. Ai bëri të ditur se do të realizohen 22 projekte të reja, ndërsa paketa parashikon krijimin e 70 muzeve bashkiakë për promovimin e trashëgimisë dhe traditave lokale.

Demo njoftoi gjithashtu se 120 milionë euro do të investohen për zgjidhjen e problematikës së parkimeve në qytete, ndërsa 150 milionë euro do të dedikohen deri në vitin 2030 për investime në sektorin e mjedisit dhe zgjerimin e mbulimit të territorit me sistemin e menaxhimit të mbetjeve.

Sipas ministrit, programi synon gjithashtu të përmirësojë peizazhin urban, të mbështesë sipërmarrjen e të rinjve dhe të krijojë qytete më funksionale dhe më të qëndrueshme.




Comments are closed.