Shqipëria anëtarësohet në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore, Gogu: Hap i rëndësishëm drejt standardeve të BE-së
Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përafrimin me standardet evropiane, duke u bërë zyrtarisht anëtare e European Council of Legal Forensic Medicine (ECLFM), organi më i lartë evropian në fushën e mjekësisë ligjore.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e cilësoi anëtarësimin si një arritje strategjike që forcon pozicionin e Shqipërisë në komunitetin evropian të mjekësisë ligjore dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin profesional, shkencor dhe institucional.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gogu theksoi se ky anëtarësim i jep Shqipërisë mundësinë të marrë pjesë në hartimin e standardeve evropiane për autopsitë, hetimin e vendit të ngjarjes dhe ekspertizat mjekoligjore, si edhe të kontribuojë në projekte shkencore dhe grupe ndërkombëtare pune.
“Shqipëria tashmë ka zërin e saj në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore. Anëtarësimi në ECLFM forcon pozicionin e vendit tonë në komunitetin evropian të mjekësisë ligjore dhe hap mundësi të reja për zhvillim profesional e shkencor”, u shpreh ministri.
Sipas tij, ky status i ri do t’i mundësojë Shqipërisë:
- të përfaqësohet zyrtarisht në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore;
- të kontribuojë në hartimin e standardeve evropiane për autopsitë, hetimin e vendit të ngjarjes dhe ekspertizat mjekoligjore;
- të marrë pjesë në projekte shkencore dhe grupe ndërkombëtare pune;
- të forcojë bashkëpunimin me institucionet homologe evropiane;
- të përmirësojë trajnimin dhe kualifikimin e specialistëve shqiptarë;
- të rrisë besueshmërinë dhe njohjen ndërkombëtare të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ministri Gogu e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së ekspertizës mjekoligjore në shërbim të drejtësisë, duke theksuar se anëtarësimi në ECLFM e afron më tej Shqipërinë me standardet më të mira evropiane në këtë fushë.







