×
Thursday, July 9, 2026

Reagim i PS: Në Strasburg votohet pro rekomandimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, PD votoi kundër

July 9, 2026


Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste njoftoi se në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, të zhvilluar sot në Strasburg, deputetët e PS-së dhe eurodeputetët votuan pro Rekomandimeve në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit të PS-së, deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër dokumentit, ndërsa socialistët vlerësojnë se qëndrimi i tyre bie ndesh me frymën e një procesi që kërkon bashkëpunim dhe konsensus institucional.

Në deklaratë thuhet se Partia Socialiste nuk paraqiti amendamente në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pasi dokumenti shoqërohej nga dy akte themelore: Rezoluta e Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE.

PS argumenton se përsëritja e përmbajtjes së këtyre dokumenteve nuk do të sillte vlerë të shtuar për tekstin e përbashkët parlamentar, ndërsa thekson se disa amendamente të propozuara nga Partia Demokratike janë mbështetur edhe nga përfaqësuesit socialistë.

“Procesi i anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to me seriozitet, përgjegjësi dhe vullnet bashkëpunimi”, thuhet në reagimin e Grupit Parlamentar të PS-së.

Sipas socialistëve, dokumenti i miratuar reflekton rëndësinë e vijimit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, mbi bazën e standardeve, fakteve dhe rezultateve konkrete të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Grupi Parlamentar i PS-së deklaron se do të vijojë të mbështesë çdo nismë dhe qëndrim që i shërben avancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.




Comments are closed.