Peleshi pret delegacionin francez: Mbështetja për integrimin e Shqipërisë forcon sigurinë e Europës
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot kryetarin Pierre-Alexandre Anglade dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet Europiane në Asamblenë Kombëtare të Francës, në një takim ku u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë bisedës, të dyja palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Francës, si edhe shprehën angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë partneritetin në kuadër të NATO-s dhe forcimin e aleancës për mbrojtjen e sigurisë, lirisë dhe paqes.
Delegacioni francez shprehu vlerësim për progresin e Shqipërisë në reformat demokratizuese dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke përgëzuar vullnetin europian të institucioneve shqiptare, konsensusin politik e parlamentar, si edhe mbështetjen e gjerë të qytetarëve për anëtarësimin në BE.
Në takim u nënvizua se mbështetja e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Europian nuk është vetëm në interes të rajonit, por përbën edhe një kontribut të rëndësishëm për sigurinë, unitetin dhe kohezionin e vetë Europës.
Palët riafirmuan gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë parlamentar dhe institucional, duke theksuar rëndësinë e partneritetit franko-shqiptar në përballimin e sfidave të përbashkëta europiane dhe rajonale.







