Guterres: Bota ka nevojë për rregulla globale për inteligjencën artificiale
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve të botës të bashkëpunojnë për krijimin e një sistemi global të qeverisjes së inteligjencës artificiale (IA), duke paralajmëruar se zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie nuk mund të lihet pa mbikëqyrje.
Në hapjen e Dialogut të parë Global për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Gjenevë, Guterres theksoi se zgjedhja nuk është mes besimit apo frikës ndaj IA-së, por mes një qeverisjeje të organizuar dhe një zhvillimi të pakontrolluar.
Forumi, i organizuar nga Kombet e Bashkuara, synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes shteteve dhe shoqërisë civile për hartimin e rregullave që do të drejtojnë zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Guterres paralajmëroi se sistemet më të avancuara të IA-së tashmë janë në gjendje të shkruajnë kod kompjuterik, të veprojnë në internet dhe të marrin vendime me gjithnjë e më pak mbikëqyrje njerëzore, ndërsa zhvillimi i tyre po ecën më shpejt se kapaciteti i institucioneve për t’i rregulluar.
“Institucionet tona janë ndërtuar për të mbikëqyrur makina që zbatojnë urdhra, jo makina që marrin vendime. Disa kufij, pasi të kapërcehen, nuk mund të rikthehen më”, u shpreh ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përmendi edhe fenomenin e njohur si “vibe coding”, i cili u mundëson edhe personave pa njohuri të avancuara teknike të krijojnë programe me ndihmën e IA-së. Sipas tij, megjithëse kjo teknologji ofron mundësi të mëdha, e ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi improvizim.
Guterres identifikoi tre rreziqe kryesore: ritmin e shpejtë të zhvillimit të inteligjencës artificiale, përqendrimin e kapaciteteve teknologjike në duart e një numri të kufizuar kompanish dhe shtetesh, si dhe kërcënimin që përmbajtjet e gjeneruara nga IA paraqesin për integritetin e informacionit dhe besimin e publikut.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qeverive, sektorit privat dhe komunitetit akademik të bashkëpunojnë për të ndërtuar një kuadër të përbashkët rregullator, duke theksuar se sfida kryesore është nëse njerëzimi do ta drejtojë inteligjencën artificiale apo do të lejojë që ajo të formësojë të ardhmen e tij.







