×
Monday, July 6, 2026

Italia dhe Franca bllokojnë një tjetër masë të paketës së re të sanksioneve ndaj Rusisë

July 6, 2026


Italia dhe Franca po kundërshtojnë një pjesë të paketës së 21-të të sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, e cila parashikon ndalimin e dhënies së vizave për luftëtarët dhe ish-luftëtarët rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

Paketa e re e sanksioneve pritet të miratohet deri më 15 korrik dhe kërkon mbështetjen unanime të të 27 shteteve anëtare të BE-së. Ndër masat kryesore është ruajtja e kufirit maksimal të çmimit të naftës ruse në 45 dollarë për fuçi, me synimin për të kufizuar të ardhurat e Moskës për financimin e luftës.

Megjithatë, negociatat po hasin pengesa. Sipas burimeve diplomatike, këtë herë kundërshtimet nuk vijnë nga Hungaria, por nga Italia dhe Franca.

Roma dhe Parisi shprehen kundër përfshirjes së një neni që ndalon lëshimin e vizave për personat që kanë luftuar në anën ruse në Ukrainë. Sipas tyre, masa ngre paqartësi ligjore, pasi nuk përcaktohet qartë se kush konsiderohet “luftëtar”, si do të bëhet verifikimi i aplikantëve dhe si do të trajtohen ankesat në rast refuzimi të vizës.

Dy vendet propozojnë një qasje më të kujdesshme, duke sugjeruar ndryshime në udhëzimet ose në Kodin e Vizave të BE-së, në vend të një ndalimi të drejtpërdrejtë.

Megjithatë, diplomatët europianë vlerësojnë se një zgjidhje e tillë do të kishte efekt më të kufizuar dhe do të kërkonte më shumë kohë për t’u zbatuar.

Sipas disa analizave, pas rezervave të Italisë dhe Francës mund të fshihen edhe shqetësime ekonomike, veçanërisht për ndikimin që masa mund të ketë mbi sektorin e turizmit.




Comments are closed.