×
Monday, July 6, 2026

Demo: Bonus për zjarrfikësit dhe paketë mbështetëse për sezonin e zjarreve

July 6, 2026


Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se qeveria do të prezantojë së shpejti një paketë mbështetëse për të gjithë personat që do të angazhohen në vijën e parë të luftës kundër zjarreve gjatë sezonit veror.

Duke folur për përgatitjet për sezonin e zjarreve, Demo tha se institucionet qendrore dhe vendore kanë rritur nivelin e koordinimit dhe kapacitetet logjistike për përballimin e emergjencave.

“Jemi duke punuar për të pasur të gjithë organizimin e duhur për sezonin e zjarreve, përmes bashkëpunimit institucional në nivel qendror dhe lokal. Viti 2026 ka një përgatitje më të mirë logjistike në tërësi, si për kapacitetet lokale, ashtu edhe për ato qendrore”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, paketa mbështetëse do të përfshijë bonus për zjarrfikësit dhe të gjithë efektivët e angazhuar në terren gjatë periudhës korrik–mes shtator.

“Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në linjën e parë të përgjigjes ndaj këtyre fatkeqësive. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit. Do të ndërmarrim hapat e nevojshëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për të garantuar motivimin e duhur të burimeve njerëzore”, deklaroi Demo.

Ai shtoi se strukturat e Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura kanë rritur kapacitetet për ndërhyrje nga ajri, ndërsa Ministria e Mbrojtjes po punon për përdorimin sa më efikas të mjeteve ajrore në rastet e zjarreve.

Në përfundim, Demo u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë muajve të verës, duke theksuar se edhe pakujdesitë më të vogla mund të shkaktojnë zjarre me pasoja të rënda për mjedisin dhe të kërkojnë angazhimin e burimeve të mëdha njerëzore dhe logjistike.




Comments are closed.