×
Monday, July 6, 2026

BE shqyrton krijimin e një “superdepartamenti” për politikën e jashtme

July 6, 2026


Komisioni Europian po shqyrton një reformë të brendshme që mund të çojë në krijimin e një departamenti të ri të fuqizuar për marrëdhëniet me jashtë, me synimin për të rritur ndikimin e Bashkimit Europian në arenën ndërkombëtare.

Sipas Politico, plani është pjesë e një rishikimi të gjerë institucional që po drejtohet nga komisioneri për Buxhetin, Piotr Serafin. Një nga opsionet në diskutim është bashkimi i disa drejtorive të përgjithshme në një strukturë të vetme, e cila do të koordinojë më mirë politikat e jashtme të Komisionit Europian.

Burime europiane bëjnë të ditur se në këtë strukturë të re mund të përfshihen, pjesërisht ose plotësisht, Drejtoria e Përgjithshme për Tregtinë (DG TRADE) dhe Drejtoria për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (DG MENA). Po shqyrtohen gjithashtu modele të tjera organizimi, të bazuara sipas rajoneve gjeografike ose fushave tematike.

Komisioni Europian pritet t’u prezantojë punonjësve disa nga këto ide gjatë një takimi më 13 korrik, ndërsa komisionerët do të informohen në javët në vijim.

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se rishikimi synon ta bëjë institucionin “më të fortë, më fleksibël dhe më të përgatitur për t’u shërbyer qytetarëve europianë në një botë që po ndryshon me shpejtësi”.

Nën drejtimin e presidentes Ursula von der Leyen, Komisioni Europian ka shtuar rolin e tij në politikën e jashtme, gjë që ka krijuar herë pas here tensione me Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), të drejtuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.

Edhe EEAS po ndërmerr reforma të brendshme. Së fundmi, Kallas emëroi ish-ministren holandeze të Mbrojtjes, Kajsa Ollongren, si sekretare të përgjithshme të institucionit, ndërsa reforma të tjera pritet të prezantohen pas verës.




Comments are closed.