Shqipëria synon deri në 400 milionë euro shtesë nga Plani i Rritjes i BE-së
Qeveria shqiptare pritet të dorëzojë në mesin e korrikut raportimin më të rëndësishëm deri tani për zbatimin e Planit Europian të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një proces që mund të ndikojë drejtpërdrejt në përfitimin e fondeve shtesë nga Bashkimi Europian.
Drejtuese e disa prej proceseve të reformave, Krisela Haçkaj, deklaroi për Televizionin Publik se raportimi përfshin 10 masa me afat zbatimi deri më 30 qershor 2026, për të cilat qeverisë i ishte dhënë kohë shtesë për përmbushjen e tyre.
“10 masa që kanë një skadencë zbatimi 30 qershor janë ato masa për të cilat qeverisë i është dhënë kohë shtesë për t’i realizuar. Janë masa të cilat kanë skadencën e tyre natyrale të zbatimit në 30 qershor 2026. Në fillim të vjeshtës, rreth muajit shtator-tetor, pritet të kemi edhe certifikimin nga ana e Komisionit Europian të këtij raporti”, u shpreh Haçkaj.
Sipas saj, Shqipëria mund të përfitojë edhe nga rishpërndarja e fondeve të pashfrytëzuara nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Mund të jetë një shumë që mund të shkojë deri në 400 milionë euro, sepse janë fonde të pashfrytëzuara në total për të tre vendet. Gjithsesi, këto janë shifra paraprake”, tha ajo.
Haçkaj bëri të ditur se Shqipëria do të raportojë gjithashtu edhe 34 masa të tjera, afati i të cilave përfundon në dhjetor 2026, por që konsiderohen tashmë të përmbyllura.
“Janë me skadencë dhjetor të 2026, të cilat i konsiderojmë të përmbyllura dhe me të gjithë evidencën përkatëse për t’ia raportuar Komisionit Europian. Këto e çojnë nivelin e progresit të Shqipërisë në këtë fazë të zbatimit të instrumentit në gati 48% të masave”, theksoi ajo.
Në bilancin e përgjithshëm, pritshmëria është që nga ky raportim Shqipëria të përfitojë një disbursim prej 213.6 milionë eurosh, pjesë e paketës prej rreth 920 milionë eurosh të parashikuar për vendin deri në fund të vitit 2027.







