Yann LeCun: ChatGPT nuk e kupton botën reale, IA është ende larg inteligjencës njerëzore
Shkencëtari i njohur i inteligjencës artificiale, Yann LeCun, ka vënë në pikëpyetje aftësitë reale të modeleve aktuale të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, duke argumentuar se ato nuk e kuptojnë botën në mënyrën si e bëjnë njerëzit.
Duke folur në një konferencë teknologjike në Paris, LeCun tha se sistemet moderne të IA-së janë shumë të avancuara në përpunimin e gjuhës, matematikës dhe programimit, por mbeten të kufizuara kur përballen me situata fizike dhe ndërveprim me botën reale.
Sipas tij, modelet e mëdha gjuhësore (LLM), që fuqizojnë ChatGPT dhe sisteme të ngjashme, nuk “mendojnë” në kuptimin e vërtetë të fjalës, por gjenerojnë përgjigje duke parashikuar tekstin bazuar në modele statistikore të të dhënave.
Për të ilustruar kufizimet e tyre, LeCun solli shembullin e një stilolapsi që bie në tokë kur lirohet. Ai tha se edhe një fëmijë e kupton intuitivisht këtë fenomen fizik, ndërsa inteligjenca artificiale aktuale nuk zotëron një model të brendshëm të botës dhe nuk e kupton shkakun e pasojën në të njëjtën mënyrë.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse teknologjitë aktuale nuk janë ende të përshtatshme për robotikën apo për detyra që kërkojnë ndërveprim të drejtpërdrejtë me mjedisin fizik.
LeCun bëri të ditur se po punon mbi një qasje të re të quajtur Joint Embedding Predictive Architecture (JEPA), e cila synon të ndërtojë sisteme që krijojnë një model të brendshëm të botës, duke kuptuar marrëdhëniet mes objekteve dhe duke parashikuar pasojat e veprimeve, në vend që të parashikojnë vetëm fjalën e radhës.
Në të njëjtën drejtim po punojnë edhe institucione si Oxford, Google dhe startup-e të ndryshme, të cilat po zhvillojnë të ashtuquajturat “modele të botës”, të konsideruara si hapi i ardhshëm drejt robotëve dhe sistemeve inteligjente që mund të operojnë në mënyrë autonome në botën reale.
Megjithatë, LeCun mbetet skeptik ndaj idesë se zgjerimi i modeleve ekzistuese do të çojë automatikisht në inteligjencë super-njerëzore. Sipas tij, inteligjenca artificiale do të evoluojë si një mjet shumë i fuqishëm ndihmës për njerëzit, ndërsa vendimmarrja dhe kuptimi i thellë i realitetit do të mbeten, për një kohë të gjatë, aftësi kryesisht njerëzore.







