NATO drejt miratimit të paketës prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën
Aleatët e NATO-s pritet të miratojnë një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë totale prej 140 miliardë eurosh, gjatë samitit të Aleancës që do të zhvillohet javën e ardhshme në Ankara.
Sipas burimeve diplomatike, ambasadorët e 32 vendeve anëtare kanë arritur një dakordësi paraprake gjatë një takimi në Bruksel për planin e ri të mbështetjes afatgjatë për Kievin.
Propozimi parashikon një mbështetje vjetore prej rreth 70 miliardë eurosh për dy vitet e ardhshme, fonde që do të përdoren për furnizimin me pajisje ushtarake, trajnimin e forcave ukrainase dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës.
Rreth 60 miliardë euro të paketës pritet të sigurohen në formën e huave nga Bashkimi Evropian për periudhën 2026–2027, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga vendet anëtare të NATO-s përmes buxheteve të tyre kombëtare.
Miratimi përfundimtar i paketës pritet të bëhet nga krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës gjatë samitit në Ankara.
Nëse miratohet, kjo do të jetë një nga angazhimet më të mëdha financiare të NATO-s për Ukrainën që nga nisja e agresionit rus.







