Botërori 2026 i kthen në yje të rrjeteve sociale, si po fitojnë miliona ndjekës futbollistët anonimë
Mjaftuan vetëm 90 minuta në Kupën e Botës 2026 që Vozinha, portieri 40-vjeçar i Kepit të Gjelbër, të shndërrohej në një fenomen global në rrjetet sociale. Sipas BBC, paraqitja e tij spektakolare ndaj Spanjës, që i siguroi ekipit një barazim 0-0, bëri që numri i ndjekësve në Instagram të shpërthente nga rreth 50 mijë në 17.4 milionë, duke kaluar edhe legjendën e NFL-së, Tom Brady, i cili ka rreth 15.5 milionë ndjekës.
Ekspertët e marketingut digjital vlerësojnë se një popullaritet i tillë mund të përkthehet në kontrata fitimprurëse me marka të njohura, postime të sponsorizuara dhe të ardhura që mund të arrijnë qindra mijëra dollarë.
“Ndjekësit janë një lloj monedhe me vlerë. Sa më shumë ndjekës të kesh, aq më të mëdha janë mundësitë për të gjeneruar të ardhura”, shprehet Brooke Duffy, studiuese e mediave digjitale në Universitetin Cornell.
Megjithatë, profesori Mike Serazio paralajmëron se fama virale mund të jetë e përkohshme.
“Fenomenet virale shpërthejnë shumë shpejt, por edhe zbehen po aq shpejt”, theksoi ai.
Një histori e ngjashme është ajo e mbrojtësit të Zelandës së Re, Tim Payne. Para nisjes së Botërorit ai u cilësua nga influenceri argjentinas Valen Scarsini si “futbollisti më pak i njohur” i turneut. Pas një fushate virale në rrjetet sociale dhe ndërveprimit me ndjekësit, Payne kaloi nga rreth 5 mijë ndjekës në afro 6 milionë në Instagram.
Vetë futbollisti bëri humor me situatën, duke theksuar se tashmë ka më shumë ndjekës sesa popullsia e Zelandës së Re.
Sipas Serazios, ky fenomen tregon se rrjetet sociale po ndryshojnë mënyrën se si ndërtohet fama në sport.
“Gjatë pesë deri në dhjetë viteve të fundit kemi parë gjithnjë e më shumë sportistë që ndërtojnë famën pothuajse tërësisht mbi rrjetet sociale. Popullariteti i tyre nuk është domosdoshmërisht në përpjesëtim me nivelin sportiv”, u shpreh ai.
Eksperti shton se sot një moment viral mund të ketë më shumë ndikim sesa vetë performanca gjatë gjithë ndeshjes.
“Nuk ka më aq rëndësi paraqitja gjatë gjithë ndeshjes, sa krijimi i një momenti që mund të bëhet viral. Momenti viral po bëhet më i rëndësishëm se vetë ndeshja”, tha Serazio.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse fama e fituar gjatë Botërorit mund të shndërrohet në një karrierë afatgjatë jashtë fushës.
“Ke një dritare shumë të shkurtër vëmendjeje. Askush nuk e njihte portierin e Kepit të Gjelbër para turneut dhe nuk jam i sigurt se njerëzit do ta kujtojnë edhe pasi të përfundojë Botërori”, tha ai.
Sipas tij, yje si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar apo Kylian Mbappé do të vazhdojnë të jenë tërheqës për markat edhe pas përfundimit të karrierës, ndërsa rastet kur një sportist arrin ta kthejë një moment viral në sukses afatgjatë mbeten të rralla.
Një prej përjashtimeve është Ilona Maher, lojtarja amerikane e regbit, e cila pas popullaritetit të fituar në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 ndërtoi një karrierë të suksesshme si influencere, ambasadore markash dhe prezantuese podkasti, duke u shndërruar në një nga figurat më të njohura të sportit amerikan jashtë fushës së lojës.







