×
Wednesday, July 1, 2026

Rama: Inteligjenca artificiale, përshpejtues strategjik për integrimin e Shqipërisë në BE

July 1, 2026


Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, ku prezantoi vizionin e qeverisë shqiptare për përdorimin e inteligjencës artificiale në modernizimin e administratës publike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se inteligjenca artificiale nuk e rrit kapacitetin e shtetit vetëm përmes zgjerimit të administratës, por duke e bërë atë më të mençur dhe më efikase.

“Me inteligjencën artificiale, kapaciteti nuk rritet vetëm duke u zgjeruar, por rritet duke u bërë më i mençur. Kjo nuk është fantashkencë, po shndërrohet në një realitet administrativ dhe ndoshta askund ky transformim nuk është me kaq ndikim sa në projektin përcaktues të vendit tonë, anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk është vetëm një negociatë politike, por edhe një proces jashtëzakonisht kompleks administrativ.

“Për ata që e shohin nga distanca, anëtarësimi është një negociatë politike. Po kështu është, por ndërkohë gjithkush që e ka kaluar këtë proces e ka kuptuar se është po kështu procesi më kërkues administrativ që ka krijuar ndonjëherë njerëzimi. Janë 33 kapituj dhe tre kritere, më shumë se 100 mijë faqe legjislacioni e rregullash europiane, mijëra direktiva, mijëra rregullore shtesë, mijëra vendime gjyqësore dhe raporte të panumërta zbatimi, që duhet të transferohen në korpusin tonë ligjor”, tha ai.

Rama u ndal edhe te sfidat që kanë shoqëruar tradicionalisht këtë proces, duke theksuar se për dekada me radhë vendet kanë mobilizuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare për përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire.

Ai bëri të ditur se Shqipëria ka zgjedhur një qasje të re, duke bashkëpunuar me OpenAI, për zhvillimin e një modeli të inteligjencës artificiale që do të ndihmojë në këtë proces.

“Kur ‘OpenAI’ doli në dritë, patëm fatin që një prej krijuesve të ishte një shqiptare. E mora menjëherë në telefon dhe i thashë se ndoshta mund ta ndihmonte Shqipërinë të shkonte më afër e më shpejt drejt Bashkimit Europian. Së bashku me OpenAI krijuam një model që na bën tërësisht ndryshe nga çdo vend tjetër në kthimin e inteligjencës artificiale në një instrument për transferimin e dokumentacionit brenda një kohe shumë të shkurtër, me cilësi maksimale dhe për ta zbatuar atë në korpusin tonë ligjor”, deklaroi Kryeministri.

Rama sqaroi se inteligjenca artificiale nuk do të marrë vendime politike dhe as nuk do të zëvendësojë negociatorët shqiptarë.

“Inteligjenca artificiale nuk do të negociojë me Brukselin. As nuk duhet ta bëjë këtë. Gjykimi politik i përket qeverive të zgjedhura, legjitimiteti demokratik u përket qytetarëve dhe besimi midis kombeve kurrë nuk mund të gjenerohet nga algoritmi”, theksoi ai.

Sipas Kryeministrit, roli i inteligjencës artificiale është të reduktojë barrën administrative dhe të rrisë kapacitetet institucionale.

“Inteligjenca artificiale mund të largojë fërkimet, mund të shkurtojë kohët administrative dhe të shumëfishojë kapacitetet institucionale. Për një vend si Shqipëria ky nuk është thjesht inovacion teknologjik, por një përshpejtues strategjik. Standardet mbeten ekzaktësisht të njëjtat, por ndryshojnë shpejtësia dhe cilësia”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se zhvillimet në inteligjencën artificiale mund të ndryshojnë mënyrën se si vendet kandidate përgatiten për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ndoshta për herë të parë në historinë europiane, suksesi i një vendi kandidat do të varet më pak nga madhësia e burokracisë së vet sesa nga inteligjenca e institucioneve të tij”, përfundoi Rama.




Comments are closed.