Erdogan: Samiti i NATO-s duhet të forcojë unitetin e aleancës
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se samiti i NATO-s, që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, duhet të shërbejë për forcimin e unitetit të Aleancës, duke kërkuar njëkohësisht heqjen e kufizimeve ndaj industrisë turke të mbrojtjes dhe përfshirjen e Ankarasë në nismat evropiane të sigurisë.
Duke folur para parlamentarëve nga vendet anëtare të NATO-s në Stamboll, Erdogan tha se kontributi i Turqisë në sigurinë evropiane shpesh nuk vlerësohet sa duhet.
“Është fakt se kontributet e domosdoshme që Turqia jep për sigurinë evropiane ndonjëherë anashkalohen. Si një nga vendet që kanë rol në zhvillimin e shtyllës evropiane të Aleancës, ne kemi vullnetin për të marrë pjesë në të gjitha nismat e mbrojtjes dhe sigurisë në kontinent”, u shpreh ai.
Erdogan u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mbështesin përfshirjen e Turqisë në projektet evropiane të mbrojtjes.
“Përjashtimi i aftësive të Turqisë në fushën e mbrojtjes për shkak të interesave të ngushta politike nuk i sjell dobi askujt”, deklaroi presidenti turk.
Ankaraja do të presë 32 udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues nga vendet partnere në rajonin e Gjirit dhe Azi-Paqësorit, në një samit që zhvillohet mes debateve për ndarjen e barrës brenda Aleancës, rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe tensioneve të krijuara pas luftës SHBA-Iran.
Presidenti turk kërkoi gjithashtu më shumë mbështetje nga aleatët në luftën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Ankaraja e konsideron organizatë terroriste.
“Nëse duam të përballemi me sfidat e përbashkëta, duhet ta ndajmë barrën në mënyrë të drejtë dhe të barabartë midis aleatëve, duke hequr pengesat ndaj tregtisë në industrinë e mbrojtjes”, tha Erdogan.
Turqia ka kritikuar prej vitesh kufizimet dhe embargot e vendosura nga SHBA-ja dhe disa vende evropiane ndaj industrisë së saj të mbrojtjes, duke argumentuar se ato bien ndesh me frymën e bashkëpunimit brenda NATO-s dhe pengojnë zhvillimin e kapaciteteve të Aleancës.







