×
Sunday, June 28, 2026

Rama lexon letrën e qytetarit: Protesta për hallet reale është legjitime

June 28, 2026


Kryeministri Edi Rama ndau në podcastin “Flasim” mesazhin e një qytetari, i cili prej gjashtë vitesh pret zgjidhje për banesën e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Duke lexuar publikisht letrën e Amos Mezurajt, Rama e cilësoi këtë si një protestë legjitime dhe tha se është pikërisht zemërimi i qytetarëve me halle konkrete ai që e motivon më shumë.

Mesazhi i plotë i qytetarit:

“Mirëdita, zoti Kryeministër. Lexova, si çdo ditë, edhe sot postimin tuaj, të ardhur nga një qytetar i gjeneratës time.

Shumë e qartë që një kryeministër vlerësohet dhe votohet për vizion, ide, ambicie, sfida që na bashkojnë si komb, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte prekin jetët tona. Problemi fillon kur institucionet e varësisë harrojnë që, ndërsa një kryeministër ka për detyrë ato më sipër, ato duhet të merren me problemet e përditshme që i prekin jetët tona dhe jo të përfitojnë nga ky vizion, por të punojnë që vizioni të jetë i prekshëm edhe për ne.

Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, jo të gjithë me prezencë në bulevard, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme. Kemi ndjekur të gjitha rrugët e robit, të ligjit dhe të Zotit për të kërkuar ndihmë pranë çdo institucioni, minibashki, bashki, Avokat Populli, ministri dhe kryeministri, por akoma sot pa përgjigje.

Ju kemi shkruar edhe ju një letër vitin që shkoi dhe menjëherë pas saj na kontaktuan nga Bashkia Tiranë, duke na premtuar zgjidhje në prani edhe të deputetes. Por pas zgjedhjeve elektorale, përgjigjet në shkresa nuk kishin kurrfarë lidhjeje me premtimet në zyrë, nuk na prisnin më. E delegonin problemin në institucione të tjera për mungesë kompetencash ligjore; u rikthye në pikën zero. Asnjë që merr përsipër jo të na e zgjidhë, por të paktën të çojë zërin ku duhet, ta ndjekë problemin dhe të na mbajë në kontakt të vazhdueshëm.

Për këtë ju kemi zgjedhur, mendoj edhe ne si qytetarë, në mënyrë direkte apo indirekte; prej gjashtë vitesh në spirale, nga një derë te tjetra, i vendosim emrin tuaj këtij problemi. Ndoshta gabimisht. Nuk janë pak gjashtë vite pa përgjigje dhe, ndërkohë, shikojmë që jepen leje ndërtimi për resorte, komplekse, pallate. Mirë se të vijnë, çdo muaj pothuajse, por pyesim veten: po për një shkallë pallati kaq e vështirë është leja? Duhet të jemi ndërtues, biznesmenë që të gjejmë kanalin e komunikimit dhe pastaj aludojmë, duke ngarkuar veten dhe mendjen, që aty i është premtuar këtij, atij ndërtuesi; nuk dimë çfarë shpjegimi t’i japim kësaj përplasjeje realitetesh.

Dhe kur mendja helmohet, këmbët të çojnë në bulevard. Pse ne duhet t’i shkruajmë letra dhe SMS një kryeministri, kur ka me dhjetëra drejtorë, ministri e bashki që në gjashtë vite duhet të na kishin zgjidhur problemin? Pse duhet të shkëputem unë nga puna për të çuar këtë SMS? Pse duhet të dal të protestoj pasdite, kur mund të kaloja kohë me fëmijët e mi? Pse duhet të pres? Nuk i mjaftuan gjashtë vite këtij shteti?

Këto probleme të përditshme, por jetësore, që ne ndeshemi prej vitesh, na detyrojnë të gjejmë fajtorin tek ju. Vetë administrata juaj ka tendencën t’ia delegojë paaftësinë e saj te ju, duke na vënë ne si qytetarë përballë jush si kryeministër. Përgjigje informale të tipit: ‘Pse s’e ke dërguar në gjykatë?’, ‘Meqenëse kryeministri ju ka premtuar zgjidhje, le t’ua japë ai’, ‘S’keni pse vini këtu, nuk është kompetenca ime, por e qeverisë’, ‘Nuk firmos unë të shkoj në burg se do kryeministri t’jua bëjë aty pallatin ku e keni pasur’, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e mbushin gotën e ujit çdo ditë.

Ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, por mendoj që është më e ndershme kështu. Shumë në rregull me planet dhe vizionet, por duam të jetojmë mirë çdo ditë dhe duam sot. Nuk kemi nevojë për lëmoshë, se ia dalim vetë në jetë, por duam që shteti të mos na vendoset si traversë. Kemi ndjesinë e keqe se na kanë hyrë në hak dhe nuk do të gjejmë më zgjidhje. Ndjesë për shqetësimin, por ndihem i pafuqishëm për të zgjidhur këto probleme dhe më besoni që kjo ndjesi më dhemb.

Faleminderit. Ditë të mbarë.

Me respekt,

Amos Mezuraj.”

Pas leximit të mesazhit, Rama pranoi se qytetari ka të drejtë të ndihet i zhgënjyer pas viteve të pritjes dhe kritikoi administratën për moszgjidhjen e problemeve të përditshme.

“Kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron dhe më motivon të vazhdoj luftën time. Nëse do të isha në vendin tënd, pas gjashtë vitesh pritje, me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se rastin e kishte përcjellë pranë Bashkisë së Tiranës që një vit më parë dhe pranoi se administrata shpesh nuk arrin të mbajë përgjegjësinë që i takon.

Në fund, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë, sipas tij, që hallet e tyre të përdoren për qëllime politike.

“Mos e falni hallin tuaj askund. Nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni atyre që duan ta përdorin hallin tuaj për të mbajtur gjallë zemërimin dhe përçarjen. Zgjidhja nuk është ta hedhim në erë shtetin, por ta korrigjojmë bashkërisht”, deklaroi Rama.




Comments are closed.